Këngëtarja Madona, e cila etiketohet nga media si “vajza materialiste” edhe falë linjës së saj të veshjeve “Material Girl”, është e vetmja grua që ka fituar aq shumë me disqe, turne, parfume dhe pije, sa sot në llogaritë e saj bankare numërohen mbi 1 miliardë dollarë. Kështu ajo bëhet e para këngëtare femër e pop-it që ka një pasuri të tillë
Të gjithë mendonin se 2012-a ishte një vit fatkeq për Madonën meqë albumi i saj i fundit “MDNA” nuk kishte arritur rezultatet e pritshme nga shitjet e disqeve. Në fakt ka ndodhur e kundërta, jo vetëm që gjatë 12 muajve të kaluar këngëtarja 54-vjeçarja ka fituar një “thes me para”, por falë 700 milionë dollarëve që kishte në bankë, ajo ka hyrë me të drejtë në klanin e miliarderëve të showbiz-it amerikan. Tani ajo ndodhet në të njëjtin nivel me regjisorin Stiven Spilberg, informaticienin Bill Geits dhe moderatoren Oprah Uinfri. E veçanta është se Madona është ylli i parë i muzikës pop femër që ia del të hyjë në të njëjtën kategori miliarderësh, të cilët kanë shënuar zhvillimin social-kulturor jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën.
Llogaritë
Llogaritjen e pasurisë së zonjës Çikone e mori përsipër revista e modës “Women’s Wear Daily”, e cila vlerësoi se vetëm gjatë vitit 2012 këngëtarja gjeneroi 350 milionë dollarë fitime nga turneu i albumit “MDNA”. Nga maji deri në dhjetor të vitit të kaluar, ajo organizoi koncerte në 88 qytete, kryesisht në Evropë, dy Amerikat dhe në Azi. Pavarësisht kritikave për ekspozimin e pavend të gjoksit dhe të pasmeve në koncerte, jo rastësisht “Billboard”-i përzgjodhi turneun e saj si atë më fitimprurësin e 2012-s. Këtyre fitimeve iu shtuan edhe 75 milionë të fituara nga marrëveshjet me studiot e regjistrimit dhe 10 milionë nga të drejtat televizive dhe nga shitja e dvd-ve.
Por nuk ishte vetëm muzika që i shumëfishoi të ardhurat e Madonës: si një menaxhere e zonja e vetes, këngëtarja ka ditur të ndajë gjatë viteve investimet e saj në seri projektesh fatlume. I tillë është parfumi “Truth or Dare”, prej të cilit në 2012-n arkëtoi 60 milionë dollarë dhe linja e veshjeve “Material Girl” (Vajza Materialiste), e cila i dhuroi 10 milionë të tjera. Por nuk u mjaftua me kaq, sepse në emër të saj figuron edhe zinxhiri i palestrave “Hard Candy”. Një pjesë më vete e përllogaritjes ishin edhe kontratat multimilionëshe të sponsorizimeve, si ajo e pijes së shëndetshme “Vita Coco” apo vodkës “Smirnoff”, për të cilën mori një çek 10-milionësh. Të gjitha këto kanë kontribuuar që llogaria bankare e këngëtares të shkojë në mbi 1 miliard dollarë. Tani është e qartë pse e quajnë vajza materialiste!
Përgatiti: Dorina Gjuzi