“Nëse nuk do të kisha besim te titulli kampion nuk do të isha këtu duke dhënë intervistë”. Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, beson se skuadra e tij do të qëndrojë në garë për trofeun më të rëndësishëm deri në fund të sezonit. Në prag të ndeshjes kundër kryesuesve të Kukësit, tekniku bardheblu e pranon se dy humbjet e fundit e kanë rritur presionin në kampin e skuadrës së tij. “Presioni në këto momente është shumë i madh, sepse vijmë pas dy humbjeve dhe duhet patjetër të marrim një rezultat pozitiv ndaj Kukësit”.
Dreka e organizuar nga presidenti Refik Halili me stafin dhe lojtarët është një tjetër pikë ku u ndal trajneri peqinas, i cili vlerëson drejtuesin më të lartë të klubit për profesionalizmin e treguar. “Nuk kemi pasur asnjëherë presion nga presidenti Halili. Ai është treguar profesionist me ne dhe ka qenë gjatë gjithë kohës i qetë”.
Për Maganin, skuadra nuk po vuan lodhjen fizike dhe këto zëra vijnë vetëm nëse skuadra nuk gjen rrugën e rrjetës. “Nëse shënojmë nuk kemi rënie fizike, në të kundërt fillojnë aludimet se nuk jemi në gjendje të mirë fizike”.
