Elbasani ndaj Tiranës pësoi disfatën e 4-t në këtë sezon por trajneri Muharrem Dosti i emëruar vetëm pak ditë më parë në stolin e verdhebluve nuk e bën gjithçka gri, teksa në intervistën e dhënë pas kësaj ndeshjeje për “Supersport”, vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij. “Në radhë të parë duhet të falënderoj djemtë për lojën e zhvilluar pasi vinim nga humbje e thellë me Teutën, unë personalisht ndryshova në skemë dhe futa një frymë tjetër te futbollistët e mi. Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës pasi edhe pse luanim ndaj një kundërshtari më të fortë arritëm ta përballonim shumë mirë Tiranën”, tha Dosti. Ndërsa, trajneri Magani, me Tiranën në heshtje për shtyp, u paraqit para mediave vetëm për të respektuar të marrëveshjen me “Supersport”, duke sqaruar shkurtimisht paraqitjen e skuadrës që ai drejton. “Unë mund të them që sot e merituam fitoren pasi kemi luajtur shumë mirë, dhe kjo fitore na ka nxjerrë në vend të parë”, tha Magani.
