Gugash Magani nuk beson se Skënderbeu, skuadra kampione në fuqi e Superiores, është futur në krizë pas humbjes 2-0 në “Niko Dovana” me Teutën. Sipas trajnerit peqinas, korçarët kanë në përbërje futbollistë shumë cilësorë, që dinë të dalin nga situatat e vështira. Për këtë arsye 49-vjeçari këmbëngul se për bardheblutë transferta më kuqebardhët mbetet një nga ndeshjet më të vështira dhe që gjithmonë ka ofruar spektakël për tifozët. “Kriza që flitet se ka përfshirë Skënderbeut është gënjeshtër. Ata janë kampionët në fuqi dhe kanë në përbërje lojtarë shumë të mirë ku do të veçoja Shkëmbin. Skënderbeu–Tirana do të jetë një sfidë e denjë që do të përmbushë pritshmëritë e opinionit sportiv”, tha tekniku bardheblu. Magani këmbëngul se futbollistët e tij nuk ndiejnë asnjë lloj presioni, përkundrazi do të udhëtojnë drejt Korçës për të bërë lojën e tyre. “Nuk kemi fare presion, sepse pas humbjes me Laçin skuadra ka reaguar. Do të shkojmë në Korçë për të fituar, por kjo është një sfidë që i ka të tre rezultatet brenda”, theksoi numri një i stolit të Tiranës. Dëmtimi në orët e fundit i Tomislav Bushiç ka prishur planet e Maganit për formacionin titullar, edhe pse vetë trajneri kërkon ta minimizojë mungesën kroatit. “Unë kam shumë alternativa në sulm, edhe do të theksoja se Bushiç mbetet një mungesë e rëndësishme. Nuk mund të jap më shumë detaje, ndonëse e kam vendosur prej tre ditësh formacionin titullar”, përfundon trajneri.
