Derbi me Partizanin e gjen Tiranën në një moment të vështirë të sezonit, ku janë disa faktorë që kanë ndikuar negatitivisht në psikologjinë e skuadrës. Fillimisht ngjarjet e “Loro Boriçit”, që u reflektuan më pas me dënimin e kryeqytetasve me 15 ndeshje pa tifozë, dhe së fundmi humbja e parë sezonale në Laç, kanë krijuar një atmosferë zymtë, që mund të kalohet vetëm në rast suksesi me të kuqtë. Trajneri Gugash Magani, i cili nuk i kurseu kritikat pas disfatës me krubinasit, u kërkoi futbollistëve të tij në një analizë të shkurtër para seancës së radhës stërvitore të ruajnë qetësinë dhe ta harrojnë sa më shpejt atë që ka ndodhur në javën e fundit.
49-vjeçari për të mos i rënduar më tej psikologjikisht lojtarët u shpreh para tyre se derbi është një sfidë e hapur, kur mundësitë për sukses janë 50 me 50, ndaj është shumë e rëndësishme që të ruhet përqendrimi. Trajneri peqinas do të ketë formacionin e plotë ndaj të kuqve, pasi infermieria është e boshatisur, si dhe mungojnë lojtarët e pezulluar. Në fushë nga minuta e parë prite të luajë edhe Elis Bakaj, që u dënua nga Disiplina me dy ndeshje pezullimin. Lojtari i rritur në akademinë e Partizanit do ta shlyejë takimin e mbetur me gjobë, pasi nuk dëshiron ta humbasë këtë superpërballje të javës së 6-të, që ka një domethënie të veçantë për të. Tirana – Partizani do të luhet në orën 20:00 në stadiumin “Qemal Stafa”.
