Mungesa e Francis Kahatës dhe Selemani Ndikumanës në seancën stërvitore të së premtes ia ka prishur humorin trajnerit të Tiranës, Gugash Magani, që duhet të bëjë ndryshime të shumta në formacion, pasi nuk ka në dispozicion për arsye pezullimi dhe dëmtimesh Kërçikun, Bulkun, Malajn dhe Sefën. Gjithsesi trajneri peqinas lë të kuptohet se sulmuesi nga Burundi dhe mesfushori nga Kenia do të udhëtojnë drejt Shkodrës për sfidën me Vllazninë. “Jam sqaruar me të dy futbollistët, si me Kahatën dhe me Ndikumanën, dhe mendoj se mungesa e tyre në stërvitje ishte një keqkuptim. Nuk është momenti për të ndëshkuar lojtarët, edhe pse duhet bisedoj me drejtuesit, pasi disiplina është shumë e rëndësishme”. Në “Loro Boriçi”, Tirana nuk do të kenë mbështetjen e tifozëve bardheblu, fakt ky që sipas Maganit i nxit më shumë futbollistët për të dhënë maksimumin. “Fakti që nuk do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë na motivon më shumë për të marrë fitoren edhe për ta. E vlerësoj shumë Vllazninë si skuadër e traditës, por edhe për organikën që ka. Gjithsesi synimi ynë është vetëm fitorja”.
Vllaznia i pret kryeqytetasit në derbin e Shqipërisë pa presionin e rezultatit dhe për Maganin ky është një dizavantazh për të besuarit e tij. Vllaznia – Tirana do të luhet sot në orën 17:00.
