Magani: Shanset të barabarta, të ruajmë qetësinë në lojë

redaktor

90 minuta për të kthyer faqe. Shija e hidhur që ka lënë derbi i fundit vazhdon të ndihet në kampin bardheblu dhe rruga e vetme për ta hedhur pas krahëve atë disfatë është fitorja në supersfidën e sotme. Trajneri i Tiranës, Gugash Magani u shfaq dukshëm optimist në prag të kësaj sfide që mund të vendosë shumë për fatet e sezonit të skuadrës bardheblu. Tiranës i rikthehen tifozët dhe për trajnerin peqinas ky është një faktor plus për grupin e tij. Për Maganin, derbi mbetet derbi dhe kjo është një sfidë që snobon statistikat, edhe pse Tirana nuk ka pësuar asnjë humbje si skuadër pritëse këtë sezon.

“Ndeshjet derbi nuk janë si përballjet e tjera. Shanset janë 50 me 50 dhe kjo është një ndeshje që i ka të tria rezultatet brenda. E rëndësishme është të jesh i përgatitur dhe të jesh i qetë për çdo episod loje”.

Data e zhvillimit të ndeshjes ka ndryshuar dy herë dhe Magani e pranon se ky fakt e ka detyruar të rimendojë nga e para çdo plan për të ndërtuar një të ri, pasi është e vështirë të mbash skuadrën të fokusuar përpara një sfide të tillë. “Çdo trajner bën planet e veta stërvitore për ndeshjen që ka dhe kur ndeshja shtyhet duhet të ndryshosh diçka nga programi. Megjithatë dua të them se karikimi dhe mbajtja e skuadrës në fokus duhet të jetë primare për çdo lojtar dhe për ne trajnerët”.

Trajneri 49-vjeçar nuk pranon ta cilësojë këtë sfidë si vendimtare për fatet e titullit kampion, sepse sipas tij në lojë janë edhe shumë ndeshje të tjera. Në vijim Magani nuk pranoi të bëjë një parashikim, por la të kuptohet se nuk do të kënaqej me një barazim, madje doli kundër zërave se në kampin e tij ka një ndjenjë vetëkënaqësie. “Nuk mund të bëj parashikuesin, sepse çdo gjë mund të ndodhë. Është një ndeshje e hapur dhe ajo që nuk më lejohet në këto momente është euforia. Nuk më pëlqen që flitet se do të ketë tolerim, sepse janë shashka që duan të na vënë në gjumë”.

Gjykimi i takimit është një tjetër pikë ku u ndal Magani, duke e pranuar se arbitrat nuk kanë qenë korrekt me Tiranën në dy sfidat e para. “Pavarësisht se kam shprehur keqardhjen nuk kam thënë se gjykimi ka vendosur rezultatin, sepse në ndeshjen e dytë kishim edhe 80 minuta lojë. Unë them që duhet të jetë një gjyqtar i FIFA-s që duhet të durojë presionin, sepse në ndeshjen e parë gjyqtari nuk e përligji besimin”.

Magani kërkon ta vendosë theksin te përqendrimi, duke paralajmëruar skuadrën e tij se gjendja aktuale e Partizanit nuk duhet t’i gënjejë bardheblutë, madje ai zgjedh të sjellë në vëmendje një supersfidë europiane për ta sjellë si shembull edhe pse personalisht nuk e shikon veten në personazhin e një trajneri të madh. “Para dy ditësh pamë ndeshjen Real Madrid-Schalke ku gjermanët ishin si ushtarë në fushë ndërsa lojtarët e Realit gjeneralë. Prandaj nuk mund të bëj krahasime. Normalisht edhe unë kam pasur kritika, por në krahasim me Ancelottin nuk jam aq i butë dhe kjo mund të jetë një pikë e dobët e imja”.

Në fund, i pyetur se përse i doli në mbrojtje trajnerit Duro pas ndeshjes Laçi-Partizani, Magani zgjodhi të përgjigjej prerë. “Unë nuk merrem me analizat e ndeshjeve, edhe pse jam pjesë e lojës, por dua të them vetëm kaq dhe jam i sigurt që trajneri nuk e le ndeshjen, pra trajneri nuk bën tolerime, nuk ka mundësi të bëjë tolerime”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *