Trajneri i Tiranës Gugash Magani është i bindur se mungesat objektive nuk do të ndikojnë në lojën që do të zhvillojë Tirana në sfidën që do të luhet kundër Flamurtarit të premten në 18:00 në Elbasan. Bulku dhe Karabeci nuk janë të disponueshëm ndërkohë që Ristevski nuk është ende në gjendjen e tij më të mirë. Tirana i ka marrë deri tani 4 pikë Flamurtarit duke fituar 1-0 në Tiranë në fazën e parë e duke barazuar 0-0 në fazën e dytë në Vlorë.
“Për shkak kartonësh do të mungojë kapiteni Bulku. Ristevski nuk është në kondicionin e duhur ndaj nuk do te jete. Rikthehet Bakaj dhe ky do të jetë një lajm i mirë. Edhe Karabeci po i afrohet kondicionit qe nevojitet”.
Lajmet negative që kanë përfshirë futbollin shqiptar për Maganin nuk janë një kompetencë që duhet diskutuar nga niveli teknik. Ai gjithsesi garanton se Tirana nuk do të kontribuojë negativisht në këtë drejtim, por njëherazi askush nuk mund të garantojë sjelljen e rivalëve. Po nëse dikush i hap portën Tiranës në 5 minutat e fundit çfarë do të ndodhë?
“Kemi biseduar me lojtarët dhe klubin. Nuk mund të marr përsipër të komentoj problematikat që kanë patur ndeshjet e tjera. Nuk më pëlqen asnjë tolerim sepse asnjë trajneri nuk i pëlqen të marrë 3 pikë të dhuruara, madje as një trofe në mënyrë të tillë nuk të shijon”.
Tirana gjendet në vendin e tretë në kuotën e 38 pikëve tre pikë larg vendit të parë që mbahet nga rivalët e Kukësit. Tirana-Flamurtari në Elbasan të premten në 18.00 është ndeshja e parë e javës së 20 të Kategorisë Superiore. Ndeshjet e tjera do të luhen ditën e shtunë.
