Magjia e një enigme në faqet e një romani

redaktor

Shënime për romanin “Mëria e Zanave”, shkruar nga Grigor Banushi

Sejdo Harka

Shfleton romanin “Mëria e Zanave” shkruar nga prozatori i njohur Grigor Banushi dhe të duket sikur noton në një det të trazuar, sa të frikshëm, aq edhe të bukur, që të përplas herë në labrinthin e ëndrrave misterioze mes bëmave dhe “mërisë së zanave”, herë në shpatet e thepisur të Maleve të Trueme, ku të presin gojëhapur egërsirat dhe herë në pafundësinë e bukurisë së rrallë dhe ashpërsisë së këtyre anëve, ku çuditërisht bashkëjetojnë e mira me të keqen dhe engjëjt me djajtë. Grigor Banushi, duke punuar për një kohë të gjatë si mësues në zonat e thella të veriut dhe më vonë si gazetar i Radio Tiranës, është një njohës i thellë i problematikave shoqërore, kulturës dhe trashëgimisë popullore, gjuhës dhe mitologjisë së këtyre anëve, të cilat i ka bërë objekt të krijimtarisë së tij letrare e veçanërisht për romanet e tij “Vdekja e Narcisit”dhe  “Fytyra e Djallit”.

“Mëria e Zanave” është romani i tij i tretë, që ka dalë në qarkullim kohët e fundit. Subjekti i këtij romani, edhe pse në qendër ka një ngjarje të vërtetë, zhvillohet sa në botën reale, aq edhe në atë imagjinare dhe fantastike. Karakteret rendin herë në tokë , herë në qiell dhe  herë në magjinë dhe labirinthet e botës shpirtërore. Në qendër të trillit krijues është historia e hidhur e tre turistëve të huaj, të cilët vijnë në Shqipëri plot ëndrra për të shijuar bukuritë përrallore të maleve tona, por papritur zhduken pa lënë gjurmë. Aq e mistershme ishte kjo humbje mes Maleve të Trueme, saqë edhe sot e kësaj dite ajo ka mbetur enigmë. Është kjo histori e dhimbshme që e frymëzoi shkrimtarin Grigor Banushi të shkruajë një roman të tillë me brendi sa dramatike, aq edhe ëndërrimtare e psikologjike. Në qendër të romanit autori vë përpjekjet e komisarit të policisë Marin Kurti për të zgjidhur lëmshin misterioz të humbjes enigmatike të tre engjëjve me shpirt të trazuar që humbin pa nam e nishan në Malet e Trueme. Ata janë fotografi gjerman Oto Klainberg, piktori hungarez Markus Safarian dhe studentja e konservatorit me origjinë polake dhe me gjak shqiptari Irena Bradovska. Edhe pse ata si personazhe në roman nuk  aktrojnë drejtpërdrejt,  jeta  e shkurtër dhe humbja e  tyre tepër e mistershme , shërben si nyje që lidh trillin krijues  të autorit me thelbin e ngjarjes reale. Nga ky dramacitet buron trazira shpirtërore e personazhit kryesor të këtij romani, komisarit Marin Kurti, i cili ka marrë përsipër të zgjidhë enigmën e fatit të tre të rinjve të huaj, që kanë ardhur si turistë në Shqipëri.

Duke ecur në gjurmë e realizmit magjik, autori ka ditur të ndërthurë mjeshtërisht realen me të mistershmen, të dukshmen me të padukshmen, tokësoren me qielloren, mistiken e zakonoren me magjiken. Janë pikërisht ëndrrat, të cilat e bëjnë komisarin  të notojë mes frikës e gëzimit, mes shpresës dhe zhgënjimit, mes entuziazmit dhe dëshpërimit.  Është natyra ëndërrimtare e Marinit dhe mungesa e fakteve, të cilat bëjnë që çdo gjë që komisari ndërton ditën, t’i rrëzohet natën, si Kalaja e Rozafës. Pluhuri i harresës dhe inkoshienca e një truri të stërmunduar nga dyshimet dhe hamendjet pa gjurmë dhe fakte konkrete do të sillnin pashmangshmërinë e dështimit. Ëndrrat që thurte natën zhdukeshin pa zbardhur mirë dita. Prandaj, me shqetësimin e një njeriu të përgjegjshëm komisari thotë: “Çfarë të shkruaj për këtë zhdukje të mistershme në thellësitë e Maleve  të Trueme ? Me çfarë t’i plotësonte ato faqe bosh? Kishte qëndruar një muaj kot në atë vend të largët dhe tani ndodhej në një udhëkryq pa rrugëdalje. I kishte mbetur veç fantazia, po fantazia nuk bënte punë. Raporti duhej konkret, me fakte, të dhëna, konkluzione e vlerësime mbi ngjarjen.

Një vend të rëndësishëm në këtë roman zë linja e dashurisë. Ajo është një dashuri e dyfishtë që herë drejtohet nga gjykimi i ftohtë pragmatist e herë nga orteku i ndjenjave që burojnë nga thellësitë e zemrës, të cilat nuk i binden arsyes. Alma një mjeke e përkushtuar dhe një vajzë e sinqertë, kthehet herë drejt Laertit dhe herë drejt komisarit të policisë, Marin Kurtit, herë tërhiqet nga dëshira për të krijuar një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike e shoqërore dhe herë bëhet pré e kurtheve të zemrës. Dashuria e saj herë i ngjan zjarreve që ndizen nga rrezet e nxehta të vapës së gushtit e herë prushit të shuar nga shirat e rrëmbyer të vjeshtës së harruar.  Luhatja e Almës mes dashurisë së vërtetë dhe arsyetimit të ftohtë, e ka burimin pikërisht tek pragmatizmi shpirtëror.

Gjuha e romanit është sa konvencionale, aq edhe metaforike, sa e drejtpërdrejtë, aq edhe simbolike, sa reale, aq edhe mitike. Vlerat narrative ia shtojnë sentenca të tilla sinjifikative artistike  si “Kishte kohë që Marin Kurti luante me një piano të shurdhët” ,që nënkupton dështimin e tij të pandalshëm, jo vetë në misionin e tij si komisar policie, por edhe në dashuri. Janë këto disa nga arsyet, që kryetari i shoqatës së botuesve shqiptarë,  Petrit Ymeri, duke folur për vlerat e romanit, tha ndër të tjera gjatë promovimit të librit “Mëria e Zanave” se ky roman ishte ndër tre librat më të mirë, të nominuar për çmimin e madh të Panarit të Librit 2015.

Së fundi mund të themi se shkrimtari Grigor Banushi me këtë libër e vë veten në një start me romancierët më të mirë të kohës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *