Magrip Bana, figurë emblemë e Kurveleshit

Ornela

Mihal GJERGJI

Magrip Muharrem Bana, veteran i nderuar i Pavarësisë, lindi në fshatin Gusmar të Krahinës së Kurveleshit në vitin 1885. Ka një traditë bese dhe bujarie të kultivuar kjo krahinë, histori mbreslënëse të përballjes me pushtuesit. Është djepi që përkundi Hodo Nivicën, Zenel Gjolekën e Çelo Picarin, Bilbilenjtë e përjetësuar në këngë, Balil Neshën e famshëm të Qafës së Peshkëpisë, Sinan Labin (Gjostojën) që përleshet fytas me pashallarët osmanë dhe i bëhet krah Zylyftar Podës në betejën e Melesinit, Xheladin Serjanin (Kucoin), i cili luftoi me tri mbretëri dhe s’u përgjunj, Hetem Totos të fismë e guximtar, Ismail Lesko Progonatit, Asllan Kucës – kryetrimit të Ali Pashë Tepelenës e shumë kordhëtarëve të tjerë, dëshmorë e heronj në të gjitha luftrat.
Kurveleshi është vendi i baladave, sofra e gurtë e mikpritjes, ballkoni ku hidhet vallja me fustanellat e derdhura mbi gju…
Është periudha e riorganizimit të revoltave anti-osmane. Pikërisht me këtë frymë e ushqeu Magripi fëmijërinë gjersa mbaroi shkollën fillore në fshatin Progonat dhe vijoi pastaj shkollën qytetëse në Gjirokastër, që ishte edhe Prefektura e Qakut. Arsimimi vlerësohej më shumë se cdo kapital i çmuar, prandaj familja e dërgoi për të vazhduar studimet në shkollën normale të qytetit të Janinës, të cilën e përfundoi me rezultate të larta.
Ishte bashkëmoshatar me Sali Nivicën (me një diferencë prej pesë vitesh), me Shemo Cekën, Sinan Kërpin dhe Neki Dacin, të gjithë djem kuveleshas që studionin në Gjimnazin “Zosimea”. Qendronin në shoqërinë e njëri-tjetrit.
I bashkonte filli i ndritshëm i shqiptarizmit. Idetë e iluminizmit francez kishin gjetur strehë edhe në qendrën jugore të Shqipërisë. Ishte brezi që u edukua me frymën atdhetare dhe sakrifikuan gjithë c’patën. Magripi punoi mësues, jo vetëm në vendlindje, por edhe në fshatrat e Lumit të Vlorës. Bashkë me një tjetër figurë të ndritur, gusmariotin Bilal Rukia dhe Mulla Xhaferin nga Drashovica, merrnin librat që shtypeshin shqip nga mërgimtarët shqiptarë në Bukuresht dhe i shpërndanin. Perandoria Osmane ishte në pragun e rrënimit të saj.

Lëvizja e Xhonturqve, me reformat e ndërmarra shpresonte të ndalte zjarrin në të cilin digjeshin ata që e kishin ndezur. Në vitin 1908, në shoqërinë e Baba Ahmet Turanit dhe klerikëve të tjerë merr pjesë në hapjen e shkollës së parë shqipe në Koshtan të Tepelenës dhe më vonë edhe në Kongresin e organizuar për gjuhën shqipe.
Në këto kushte, Magrip Banën, pikërisht për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare e interrnuan në Janinë. Në fillim të vitit 1911 mundi të arratisej dhe kthehet në vendlindje. Viti vijues e gjeti në radhët e drejtuesve të Komitetit që organizonte rezistencën e armatosur kundër forcave turke në Jug të vendit. E shtrënguar nga fryma e rezistencës popullore, qeverria turke u detyrua të bënte disa lëshime, të cilat ishin justifikuese dhe të papërfillshme për shqiptarët, të cilët përndiqeshin dhe jetonin në kushtet e mohimit të të drejtave të tyre, kryesisht të përdorimit të gjuhës shqipe, njohjen dhe pranimin e saj në teritoret shqiptare, hapjen e shkollave dhe mësimin nga fëmijët shqiptarë.
Nëntori i vitit 1912 e gjeti në radhët e pritësve të Ismail Qemalit dhe në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës. Takohet me Ismail Qemalin me të cilin kishte njohje të hershme. Më 26 korrik 1914, në prani të Baba Ahmet Turanit, me të cilin ishin miq dhe i bashkonin idetë përparimtare, merr pjesë në takimin që organizoi Princ Vidi në qytetin e Vlorës, në ndihmë të muhaxhirëve ardhur nga viset e jugut për t’u strehuar në ullishtet e Vlorës. Greku dogji me urën e zjarrit fshatra të tëra, shtëpi dhe prona, vrau dhe plackiti.

Magripi bëhet pjesëtar i Komitetit të Fshehtë për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut. Gjatë kësaj periudhe bëhet nismëtar dhe organizator i hapjes së shkollave shqipe në Kurvelesh dhe fshatrat e Lumit të Vlorës. Bashkëpunon me Sinan Kërpin në fshatin Lekdush, me Shaqo Buzon në Progonat, me Shuko Dalipin në Rexhin, me Jaho Karafilin në Nivicë. Në Gusmar hapi shkollën shqipe në pronën e tij (Hani i Bane) në vitin 1917, dhe ishte pikërisht ai mësuesi i parë i kësaj shkolle. Merr pjesë si i ftuar nderi në Kongresin e Labërisë që organizohet në fshatin Kuç të Kurveleshit.
Në vitin 1920, së bashku me Xhafer Metën, Rakip Dukën, Selam Musain dhe shumë trima kurveleshas e lopsiotë, ishte në ballin e rezistencës kundër trupave pushtuese italiane. Magripi ishte pjestar i Komisionit të Beunit dhe komandant çete në luftën e Vlorës.
Emrat e martirëve janë gdhendur në kronikat e kohës dhe kujtesën e bashkëluftëtarëve. Magrip Bana, apo Hoxha i Bane, siç i flisnin në vendlindje, punonte pa zhurmë e bujë. Në vitin 1923 takohet me Avni Rustemin dhe realizon një mbledhje me popullin e Kurveleshit. Organizohej qëndresa ndaj Mbretërisë dhe mbështetja e ideve të Fan Nolit për një Qeveri Demokratike.
Vite më vonë, ruajti ekuilibrat mes palëve dhe me gjykimin e ftohtë mënjanonte konfliktet mes bashkëfshatarëve. Në luftën e dytë botërore u bashkua me frontin antifashist. Edhe Magripi kishte kundërshtarët e tij, madje edhe brenda familjes. Vëllai i tij, Nazif Bana, një burrë shumë i zgjuar dhe vizionar, kishte punuar emigrant në Amerikë (Boston) në vitet 1916-1919. I njihte idetë përparimtare, vlerat e pronës private dhe fuqinë e saj ekonomike. Ishte kundërshtar i betuar i ideve komuniste. Vetëm Zoti dhe emri i Magripit e kanë shpëtuar nga burgjet e diktaturës që u instalua në Shqipëri pas vitit 1944.
Shtëpia e Magrip Banës u bë streha e sigurt e luftëtarëve të lirisë, e drejtuesve të frontit të rezistencës dhe drejtuesve të lartë. Hysni Kapo, Mustafa Matohiti, Bexhet Mema dhe drejtues të tjerë të formacioneve partizane kishin bujtur si mysafirë në shtëpinë e tij, kishin kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin, të cilat s’ua kurseu.
Ishte Magripi negociatori i bisedimeve me trupat pushtuese italiane në vitin 1942, te N/Prefektura e Kurveleshit. Karabinjerët u detyruan të largohen pa gjakderdhje. Mirëpo, një qëndrim të tillë tolerant dhe mirëkuptues e mbante edhe ndaj krerëve që kryesonin forcat e Ballit Kombëtar. Më e vyer se çdo ide është çështja kombëtare, pikërisht kësaj i mëshonte Magripi, ky misionar i palodhur i dijes dhe atdhetarisë.
Në periudhën kur ishte ashpërsuar lufta mes fronteve kundërshtare, në fshatin Bëncë të Tepelenës organizohet një takim mes krerëve të Partisë Komuniste dhe përfaqësuesve të Ballit Kombëtar. Mes tyre mund të përmendim Prefektin e Gjirokastrës, Rasim Babameta, me të cilin Magripi kishte miqësi familjare, Zenel Gjoleka dhe të tjerë.
Edhe në këtë takim, Magrip Bana mbajti qëndrim bashkues, jo përcarës. Dokumentat e kohës zbardhin detaje interesante, të cilat pasqyrojnë lartësinë intelektuale të bashkëbiseduesve. Me këtë frymë rriti dhe edukoi fëmijët dhe mbeti kështu një figurë emblematike e nderuar e Kurveleshit.
Vdiq në vitin 1961 dhe u përcoll me nderime. Ende kujtohet nga brezat dhe meriton mirënjohjen e tyre. Figura të tilla qendrojnë në ballin e kohës dhe të kombit, dhe janë nderi i tij.

 

Share This Article
1 Comment
  • Faleminderit penes suaj z. Mihal Gergji,per rastin qe paraqisni, Shembuj te tille,pake evidentuar ka boll.Figura te tilla duhet pergjithesuar.
    Lavdi te RENEVE te KOMBIT.
    Lavdi FESTAVE te *TRE NENDOREVE-Shqiptare*

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *