Inflacioni pësoi një tjetër rënie në muajin maj dhe zbriti në 2.1 për qind, vlera më e ulët që prej një viti. Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti i Statistikave, inflacioni ra më tej me 0.2 pikë përqindje nga vlera e muajit prill. Që nga fillimi i vitit 2013, inflacioni ka lëvizur në rënie të vazhdueshme dhe ka zbritur gjithsej me 0.6 pikë përqindje. Ulja e inflacionit për majin është përcaktuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”. Grupi që zë peshën kryesore në shportën e mallrave të konsumit ka pësuar një normë vjetore inflacioni prej 4.9 për qind, nga 5.7 për qind që ishte në muajin prill. Megjithatë, inflacioni për këtë grup vazhdon të jetë ndjeshëm më i lartë se mesatarja dhe faktori kryesor që këtë vit ka rritur peshën e çmimeve të konsumit për xhepat e familjeve shqiptare. Sipas Instat, kontributi i grupit të ushqimeve në normën vjetore të inflacionit ka qënë mbi 91 për qind. Trysnitë inflacioniste në ekonominë shqiptare vijnë kryesisht nga rritja e çmimit të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, çka dëshmohet nga fakti se pothuajse gjithë inflacioni po vjen nga ushqimet. Duke qënë produktet më të domosdoshme të konsumit, kërkesa për ushqime është subjekt i një elasticiteti më të ulët. Kjo do të thotë se rritja e çmimeve ka efekt më të vogël në rënien e kërkesës për to. Për këtë arsye, produktet ushqimore janë burimi kryesor i inflacionit, edhe në një kohë kur kërkesa në përgjithësi është e dobët dhe kur inflacioni mesatar po lëviz në kahun rënës.
