Majakovski dhe Esenini, sprovë për esse krahasuese

Ornela

Bedri ISLAMI

Përse Sergei Eseninin e duam menjëherë?

Përse Majakovskin e kemi të vështirë ta duam që në takimin e parë. E ndjejmë afër, por nuk e duam, ashtu si duhet një poet, do të thotë dhembshurisht.

Përse Eseninin e duam gjithmonë, në secilën moshë, edhe në rininë e parë, edhe më tej, kur jemi në vjeshtën e tretë?

Përse Majakovski është më i madh nga emri, se sa nga afërsia.

Esenini është i çuditshëm, për të ke mall si për një mik të afërt, që, sa më shumë të mungon, aq më tepër e ke të dashur!

Majakovski, më parë se të ishte në bronx, në monumentet e njohura të tij, ai është i bronxtë në jetë.

Dy nga poetët më të mëdhenj rusë, me poezi të mrekullueshme dhe me fat fundor të njëjtë në jetë: të vetëvrarë. Askush tjetër sa ata të dy nuk kanë qenë të ndryshëm me njëri tjetrin, në gjithçka, pafundësisht të ndryshëm.

Kanë qenë të ndryshëm në perceptimin e botës, njëri revolucionar i furishëm dhe tjetri romantik pa djallëzi; i pari, Majakovski i dashuruar me revolucionin, tjetri nuk e kuptonte dot; i pari shkroi poemën më të njohur për Leninin, “Partia dhe Lenini, binjakë që historia, u dha pavdekësinë, ne themi Partia dhe nënkuptojmë Lenini, ne themi Lenini dhe nënkuptojmë Partinë”, i dyti, shkroi vetëm disa vargje për të, ku shprehte gjithë botën e tij, pezmin, dyshimin, “ nuk e kuptoj si botën e tundi, por ja që e tundi”, Majakovski ishte i vrullshëm, rrëmujës dhe polemist i dorës së parë, Esenin, përkundrazi largohej nga rrëmuja dhe rrëmeti, Majakovski e donte vargun bombë e flamur, Esenini melodonte “Bukuroshe qe Tanjusha, shoqe s’kish në fshat të vet”, i pari – dishepull i revolucionit, mitingjeve, pankartave të mëdha, i dyti poeti i mejhaneve, ku ka drojën se mos i një dehur thikën po i ngul; Majakovski ka mbi vete revolucionin, proletarin e ardhur në pushtet, Esenini izbën e tij, ku rri nënokja dhe një strehë e madhe për Ana Snjeginën.

Edhe vargjet i kanë ndryshe: të Majakovskit duken se kërcasin, të Eseninit të lëmojnë; i pari ishte i errët si vetë arti i tij, i dyti ishte lëndinë e gjelbër, ku korijet flasin me gjuhën e mështeknave; Majakovski ishte mendimtar, Esenini ledhatues.

Majakovski ishte tregimtar i zjarrtë, i mrekullueshëm, Esenini ishte rrëfyes. Ka një dallim të madh mes tregimeve dhe polemikave të Majakovskit dhe dhe rrëfimeve të Eseninit. Flokët e të parit janë krifa që tunden në erë, të dytit janë dredhëza.

Edhe bukurinë e kanë të ndryshme. I pari shtatvigan, i furishëm, mashkullor i pafund, përfshirës, rrëmbyes, dashuronjës i krisur dhe i potershëm; i dyti është fllad, i butë, i veçantë, ngashëryes, dashuron marrëzisht, poezitë e tij janë perla të një njeriu që e di se dashuria është virtyt, ndryshe nga Majakovski që e trajton herë pas here si detyrë dhe, kur e kupton se nuk është kjo ajo çfarë ka dashur, bie në theqafje.

Majakovski nuk mund të jetojë pa revolucionin, Esenini nuk jeton dot pa dashuri. Ka qenë e vështirë të duash të parin, ka qenë e pamundur të mos duash të dytin.

Lidhjet e M. me poezinë kanë qenë të ndërlikuara, ai ka kërkuar gjithnjë një rrugë të re dhe duke e kërkuar ka përshkuar një rrugë të mundimshme.

Lidhjet e Eseninit me poezinë kanë qenë të natyrshme, pasionante, të brendshme.

Majakovskin mund ta përfytyrosh edhe komisar politik, Eseninin nuk e përfytyron dot kurrë. Majakovski mund të ishte me dëshirë në Kavalerinë e Kuqe, Esenini ndërkohë do të ishte në një tavernë fshati apo në shtëpitë ilegale ku lexohej poezi e mirë dhe ushqimi ishte si nga një botë tjetër. Trumpetat ishin për të parin, tryeza e miqve për të dytin.

Majakovskin e tërheqin britmat e revolucionit, Eseninin e trembin. Ndërsa i pari ngazëllehet, i dyti vuan. Revolucionit i pari i kushton vargje të kumbueshme, gjithë ritëm, deri në ritëm ushtarak, në poezinë e të dytit gjithçka është e luhatshme, iluzore, e butë, e dhimbshme , deri sa shkon drejt tragjikes.

Për të parin poezia është armë, për të dytin është skllavëri.

Majakovski është i gjithi “i tyre”. Zëri i të dytit është “i atyre të tjerëve”.

Të dy, edhe pa i parë fotografitë e tyre, është e lehtë t’i përfytyrosh.

Majakovski është trupmadh. Lëviz me hapa të shpejtë, një njeri përherë në lëvizje, shpatull e nofullgjerë, sytë janë shkëndijues dhe flokët lëvizin ashtu si edhe ai vetë, është ëndërrimtar, po aq sa është artist, i butë si një foshnje në njërin çast dhe shpërthyes në tjetrin, gatshëm për debate pa fund, zëri i buçet, i gatshëm për përplasje të mëdha dhe kërkues deri në fund. Poezitë e tij, edhe kur është në një dhomë të vogël, me pak miq pranë, apo qoftë edhe me një të vetëm, i lexon me zë të lartë, bubullues, sikur të ishte në një sheh të madh, para turmave të topitura.

Ai ishte gjeni, por edhe gjenitë janë të ndryshëm. Bredharak moskovit. I vrullshëm në Berlin, pas revolucionit të Tetorit, kërkues i paepur në Paris, bubullues në Moskë, përsëri në Paris; çdo gjë e tërheq në këtë botë të madhe, por asgjë nuk e mban. Do të shkruajë “ do të doja të rroj e të vdes në Paris, po të mos ishte qyteti Moskë”. I ka thënë të gjitha. Bota ishte e vogël për të, Moska ishte e pafund. Miqtë e tij do të tregonin, se, edhe kur e varrosën, arkmorti ishte i ngushtë dhe i vogël. Jashtë kishte lënë lavdinë e tij, ishte e pafund.

Esenini ishte trupgjatë, por i hajthëm. Sy shkëndijues, të butë, si kadife. Ai ishte njeri i ngazëllyer, i gëzohej ditës që niste dhe mrekullohej nga gjëra të thjeshta, ama njerëzore. Ishte i lumtur, ndoshta nga që dhuntia poetike e bëri të tillë, por edhe nga që e donin të gjithë. Ai e bëri poezinë magjike përmes detajeve të vogla, qoftë edhe për braktisjen e një qeni apo lotët e hënës. Ishte i pafuqishëm përballë jetës, por e donte marrëzisht. E ndjente thellë natyrën, ndoshta më shumë se çdo poet rus, dashurinë, muzikën, këngët e vjetra ruse, marrosej pas një nate hënore dhe nuk e ndjente fare rrjedhën e historisë. I zhurmshëm por larg grindjeve, i dashuruar dhe dashuronjës, ledhatues i përbindshëm, nga laku i të cilit nuk shpëton dot dhe i furishëm ndaj miqve që i donte; ishte në të njëjtën kohë foshnjë dhe djalosh, pa u bërë kurrë burrë i rritur; i gëzuar, bukurosh, poezitë e tij i lexonin dhe i donin të gjithë: që nga studentet e Petërburgut dhe deri te marinarët e Balltikut; sytë e tij ishin të kthjellët dhe naivë.

Mes Majakovskit dhe Eseninit ka pasur çaste të pakta miqësie dhe çaste të shumta zemërimi. Ashtu si ndodh kur takohen rrymat e ngrohta dhe rrymat e akullta të oqeanit.

“Ai është poet për diçka, unë jam poet për diçka tjetër. Atij do t’i ngrenë monument, ndërsa unë do të vdes rrëzë gardhishtes, e, prapëseprapë, s’ma ka ënda të këmbehem me të”.

Shpesh herë Majakovski ishte i pakuptuar; disa e donin marrëzisht dhe ishin dishepujt e tij, të tjerë e tallnin, ai ndeshej me ftohtësinë shpirtërore, me përplasjet pa fund dhe ndjekjen e pafund të kritikëve që synonin të rrëzonin mitin e tij. Miti i Majakovskit dhe gjenia e tij u pranua gjerësisht pas vdekjes së tij. Kurse Eseninin e kanë kuptuar dhe e kanë dashur që kur ishte gjallë. Edhe ata që nuk e donin gjunjëzoheshin para tij. 25 vjeçar ai ishte i ngopur me lavdinë.

Majakovski ishte si një got rum skocez, i ruajtur në fuqi lisi.

Esenini si një trëndafil i bardhë!

 

Majakovski do motivim për t’u lexuar, ndërsa Esenini të motivon kur e lexon.

Majakovski është më i përzgjedhur, ndërsa Esenini është më gjithëpërfshirës. Esenini ta heq dhe ta shton dhimbjen, të inkurajon dashurinë për kashtën e arave e barin e fushave dhe të bën të ndjesh aromën e tyre, dhe të mendosh e të lëndohesh për zemrën e nënës, të ngroh shpirtin me dashurinë dhe të përlot me dhimbjen që shpreh.

E megjithatë, të dy, jo shumë larg në kohë njëri tjetrit, vranë veten. Të pakuptueshëm në vdekjen e tyre.

Majakovski tha për të: “Çiraku harrakat me zë kumbonjës”.

Gorki: “Esenin do të thotë organ i lindur për poezi”.

Poezia e tj ishte e butë, njerëzore, e dhimbshme, e afërt, nuk ka as egërsi, as britma, as ftohtësi shpirtërore. Është vetë shpirti i palosur dhe makthi i shpirtit të poetit.

Poezia e Majakovskit ishte e dyzuar : në fillimet e saj ishte novatore, simbolike, poetët pasardhës i detyrohen shumë atij.

Të kundërt, por të përjetshëm. Secili në strehën e tij, ku, herë pas here, na bëjnë vend për t’i shijuar. Si një verë të vjetër, ruajtur në qilaret e kohës.

 

 

PIKASO

Nuk e kam kuptuar kurrë Pikasonë, deri sa një ditë, krejt papritmas, u gjenda në Barcelonë dhe shkova të shoh njërin nga muzeumet e artit, pikërisht Muzeun Kombëtar të Artit Katalonja. I ndërtuar në vitin 1929 ai përmbledh gjithë zhvillimet e artit spanjoll e sidomos katalonjas e jo vetëm kaq: që nga pikturat e famshme murale romake e deri në pamjet moderne të ditëve tona.

Për Pikasso është e vështirë të shkruash, po aq sa është e vështirë ta përceptosh dhe ta shijosh që në takimin e parë. Është ndoshta piktori më i famshëm i kohëve moderne dhe , në të njëjtën kohë më i pakuptueshmi nga njerëzit e zakonshëm.

Me Pikasso janë marrë të gjithë: ata që e kanë dashur me shpirt dhe ata që e kanë urryer përbuzshëm; ekzistojnë qindra studime për veprën e tij, por edhe për secilën; për pikturën e tij është shkruar nga artistë e studjues dinjitozë, por edhe shkel e shko, përciptas; e kanë dashur dhe e kanë ndjekur, po aq sa nuk e kanë dashur dhe e kanë zbuar; ai ka bërë epokën që të ketë emërin e tij, por edhe do të vazhdojë të jetë i pakuptueshëm për shumë njerëz në epokat e së ardhmes; pikturat e tij sot kanë vlerë të jashtëzakonshme, më e thjeshta disa milionë euro, e të tjerat disa qindra milionë; të gjithë kanë vrapuar të kenë një vepër të tij, piktorit që dikur në kafenenë e famshme Rotonda i jepte vizatimet për një kupë verë të kuqe.

Ai ka qenë gjithnjë i pakuptueshmi i shtrenjtë, i përkëdheluri i madh, shamataxhiu i jashtëzakonshëm; autori i veprave gjeniale, pasi ai ishte vetë gjeniu , që, edhe pse nuk e donte jetën e tallej me të, si një spanjoll i pa marrur vesh, piktura e tij pohon jetën. Ai, duke mohuar, është kthyer në një pohues të madh.

Për të dashur Pikasso, për ne, admiruesit e zakonshëm të artit , është e domosdoshme të duam Spanjën, e përtej saj, të njohim Françesko Gojën.

Goja është pararendësi i Pikasso, sado që duken të ndryshëm, ata janë vazhdimi i njëri tjetrit, ata janë Spanja në dy kohë dhe mitizimi i saj në të gjitha kohrat. Kur kam parë Goja-n, , atëherë kam dashur Pikasso dhe jam përpjekur ta kuptoj atë.

Deri asaj dite, sado që kisha lexuar për të, pra e dija se ai ishte njeriu që lë kokën pas miqve, se i do njerëzit në larshmërinë e tyre, sidomos i adhuronte gratë dhe ata çmendeshin pas tij, edhe kur ai ishte 80 vjeçar, edhe pse e dija se ai ishte njeriu që i pëlqente shakatë, donte me shpirt natyrën, kërkonte bukurinë e jetës, aty ku të tjerët nuk e vërenin, kishte atë ngrohtësinë e prekshme që të magjeps, një aromë këndellëse të pashoqe, përsëri nuk i kapja dot përmasat e bukurisë dhe pranisë së pikturës së tij. Disa prej tyre më mahnitnin e nuk e dija përse, te të tjerat qëndroja ndiferent dhe e kuptoja arsyen.

Deri sa vajta në muzeun kryesor të Barcelonës e më pas pashë disa nga pikturat e Françesko Gojas. Njëra prej tyre, ajo e pushkatimit të kryengritësve spanjollë, ngërçi i shikimit të tyre para vdekjes, stoicizmi, masakra që ndjehet, nuk është asgjë tjetër, në mendimin tim, veçse parafjala e veprës madhore të Pikasso, “Guernika”.

Shikojeni me vemendje. Ngjashmëri mahnitëse. Këndvështrimi gjenial i të dyve është i jashtëzakonshëm. Këto dy piktura mund të bëheshin vetëm nga spanjollë. Asnjë piktor tjetër nuk mund të sjellë atë qëndrim të pazakontë, do të thoja fisnik, para vdekjes dhe shpresë e jetës.

 

Kur u pushtua Parisi, nje oficer nazist shkoi ne studion e Picassos. U ndal para tablosë Guernica.

-Ju e keni bërë këtë?- pyeti nazisti.

-Jo, e keni bërë ju!- tha Picasso.

 

Vetëm ata që e kanë dashur popullin e tyre marrëzisht, mund të bëjnë vepra të tilla!

 

Vizatime

1.

Njerëzit kanë harruar të arsyetojnë. Nga të gjitha veprimet mendore, arsyetimi është që haset më rrallë.

Është e habitshme : Orienti i ka magjepsur gjithnjë njerëzit e Oksidentit, e megjithatë, të gjithë vrapojnë ose duan të vrapojnë drejt mos- magjepsjes.

Shekspiri, duke patur parasysh një imazh, shfaqur befasisht në tingëllimën e mëngjessit, ka shkruar se ” Ne jemi bërë nga i njëjti brum si edhe ëndrrat”.

Nuk ka ndryshim në veprimtarinë mendore të njerëzve, qofshin në gjendje të zgjuar apo duke parë ëndërr.

Përse na mungon arsyeja: ndoshta nga që në të vërtetë ne nuk jetojmë në realitetin jetësor, por, shpesh herë në atë që kemi krijuar. Si në një trill të natës.

Ne kemi makthin e arsyes.

Ka një të vërtetë : Në shkretëtirë të duket sikur je gjithnjë në qendër.

Është vendi ku duam udhën e duhur dhe kërkojmë oazin shpresëdhënës.

Gjithnjë qytetërimet e mëparshme na duken misteriozë dhe sikur përfaqëson atë që nuk është bërë kurrë e ditur.

Në shkretëtirë të kujtohen muzgjet e kopështit apo edhe Një mijë e Një netët, ashtu si në fillimin e moshës së tretë të duken të largta çmenduritë rinore, por për të cilat të ngërthen malli.

Kur del nga shkretëtira të duket sikur bota ka lindur atë mëngjes.

3.

Kur isha për herë të parë pas luftës në Kosovë mund të mendoja se jeta kishte ndalur dhe u kthyem në kufijtë e Fillesës së botës.

Ajo që kishte ndodhur, kurrë mos u harroftë, ishte si një makth nga i cili nuk zgjohesha dot.

Kishin filluar të lindnin legjendat dhe mitet e para dhe një popull që, pas një lufte, nuk krijon mitet e legjendat e tij, ai është i verbër.

Nëse do të më kërkonin të sillja një fjali të vetme në përcaktimin e Kosovës, atëherë do të shkruaja :

Kosova është akt besimi!

4.

Ka gjëra që mund të thuhen vetëm në një gjuhë dhe , për më tepër, në një dialekt të veçantë të saj.

Është i pavend krahasimi i gjuhëve me njëra tjetrën, e aq më tepër mes dialekteve të së njëjtës gjuhë.

E megjithatë ka shprehje, vargje apo thënie të veçanta, tingëllimi i të cilave do të kishte qenë i pamundur , veçse në atë formë të dhënë. Përkthimi i zbehë, përshtatja i çorodit, tingëllimi në një variant tjetër nuk të shijon.

Vargjet e Mjedës nuk mund të shijohen askund tjetër, veçse në gegnishten tingëlluese dhe magjike të Shkodrës dhe rrethinave të saj.

Poezitë e Naimit janë të ngjitura pas toskërishtes së butë të Frasherit dhe rrethinave qyteze.

Bukuria e tyre është gati të na gllabërojë dhe ne e ndjejmë veten mirë në robërinë e tyre.

Vargjet e Mjedës, për shembull, gjithnjë më kanë përcjellur një ndijim fizik, që ka përshkuar gjithë trupin dhe ka lëvizurmendimin, pasi , duke qenë frut i meditimit, ata janë dhënë në atë formë që e ka bërë të ndjeshme bukurinë.

Disa gjëra nuk mund të lëvizin. Sepse janë të përhershme.

5.

“Mos u bajsh me të kajtë serbi” – ishte ndër thëniet që më mbetën në mendje në shumë vite dhe që ende i kam në vete.

Nuk e di se ku e dëgjova për herë të parë, por e mbaj mend përse ishte fjala.

E dëgjova nga një mik i vjetër, burrë i mënçur , drenicak e poet, Mehmet Bislimi, në njerën nga ndejat në shtëpinë e tij, ku më takonte të flija jo rrallë herë dhe, në dhomën e vogël, do të gjeja gjithnjë ” Lahutën e Malcisë”, që ma vinte te kryet e shtratit.

Më është kujtuar herë pas here e, për dreq, më erdhi në mendje edhe disa ditë më parë.

Përse :

Një gazetar ishte kërcënuar rëndë dhe befas, kur nuk pritej, një njeri i politikës, që kishte ngjitur e ulur të gjitha shkallët e mundshme, e kishte marrë gazetarin në mbrojtjen e tij.

për dreq më është kujtuar ajo fjala e dikurshme, që e shkrova në fillim të këtij shënimi.

6.

Keni parë ndonjëherë një shtëpi kulmrrëzuar?

Keni parë se si shtigjet janë mbuluar nga harresa dhe bari është zverdhur, ashtu si ndodh me gjithë rrëzimet?

Nuk ka gjë më të trishtuar se pamja e një shtëpie të tillë, me trarët e anuar drejt shembjes, tjegullat e përmbysura si një rrokopujë ditësh të rëna mbi njëra tjetrën, me drurët e lëmyshkur si këngë të harruara, heshtjen e pafund si errësirë dimri, portën që e shkapet era me tingëllimën e ikjes.

Atëherë mendon për ditët kur u ngrit kjo shtëpi, njerëzit që vendosën gurët duar – duar si të mbështeteshin tek ëndrrat e tyre, përjetimet, gëzimet e ksollet, njerëzit e ardhur dhe ata që ikën, pranverën që ka jetuar tek çelja e luleve të mollës dhe vjeshtën e trishtimit, netët e vrara nga ëndrrat dhe ditët e mbetura në lakuriqësinë e heshtjes; qiellin e ndarë në copra nga dritaret e ngritura në të katër qoshet dhe gëzimet që kanë fluturuar si patat e egra; pikëllimin e luleve dhe shendin e fëmijve…

Një shtëpi kulmrrëzuar do të thotë se kanë ikur djemtë!

 

 

 

 

Share This Article
8 Comments
  • Majakvoski kane veshtire ta duan , ata qe nuk e njohin Poezine,
    se Majakvoski pavaresisht se bente politke me poezine e tij,
    por poezia e tij ishte e fuqishme ne figuracion qe te ngjallte ndjenja te jashtezakoneshme

    Ndersa Esenini eshte i embel, sepse ai shkruan per Dashurine, por edhe ai eshte poet i madh.
    Por keta jne te ndryshem ne poezite e tyre

    Por qe Majakovskin mjafton ti lexosh 2 vargje dhe e kupton se sa i fuqishem eshte ai poet,
    Ai eshte pak a shume si Noli ne poezite e tij kunder regjimit Zogollian

    Ne nje poezi te shkelqyer te tij Majakovski thote :
    …………….
    Mban era mish i djegur , zjarrfiksat jane aty…
    Hej c’jane keto kaska shkelqime!
    Ne zemren qe digjet nuk hyhet me cizme
    por me ledhatime….

    Po kur thote per vdekjen e Leninit ne nje poezi te tij.
    midis te tjerave:
    ….
    Temthat rrahin koken
    vlonje me shtrengmim,
    Mbreme ne oren 7 e 30 minuta
    vdiq shoku Lenin ….etj etj

    Por une mbaj mend edhe poezi te Eseninit,
    sepse ato jane poezi dashurie
    Meqe aty me siper ai flet per Tanjuushken , poezia e saj eshte keshtu :

    Sa e bukur qe Tanjushka
    me te bukur s’kish ne fshat
    Sarafani me tantella
    sa hije i kish ne shtat,

    Pika gjaku kish kurore
    balli i vajzes se pafat,
    Sa e bukur qe Tanjushka
    me te bukur s’kish ne fshat …….

    ( sepse ajo kishte vrare veten . nga dashuria) .Kur e kam lexuar kete poezi , Une nuk e dija ca ishte Sarafani
    dhe pyeta nje shoqen time ne Vlore -Ajo me tha qe Sarafani eshte nje fustan me dy rripa tek supet .Atehere e kuptova qe Sarafani eshte ai fustani i vajzave ne fshat

    Esenini ka poezi dashurie te bukura shume dhe une e kam pasur memorjen te forte dhe i mbaja mend permenc sapo i lexoja ato
    Ja te them nje tjeter :

    Ah, se c’djall tufani,
    tere egersi.
    Me te bardha gozhde ngulet
    mbi cati,
    Vecse une s’trembem, s’dridhem
    se per fat,
    Kam tek ty mberthyer shprtin arrakat.

    Ndersa eshte nje poezi tjeter e Eseninit e cila thote :

    C’mi perdredh ti buzet nazemdhja moj
    Kam nje vajze tjeter ty s’te dashuroj…

    Ti e di se jemi larg mjaft larg te dy,
    Mos u tremb s’te pashe s’vij ketej per ty
    Te shkoj prane por zemra as nje tel s’me lot
    Vetem nga dritarja syte i hodha kot…..

    Por Rusia eshte shtet i madh dhe ka nje sasi te madhe poetesh te medhenj.
    por qe edhe keta te dy futen tek 10 poetet me te medhenj te Rusise

    Ka shume mundesi qe keto poezi te Esenin ti kete perkethyer Lasgushi, se ai perkethente shume mire nga Rusishtja , pasi kam lexuar perkethimin qe ai i ka bere Pushkinit tek poema Eugjen Onegin, qe eshte i shkelqyer …

    Ne 6 Qershor ishte ditelindja e Aleksander Pushkin qe eshte poeti me i madh i Rusise i te gjitha koherave
    Biles Pushkini mbahet si “Krijuesi i Gjuhes moderne Ruse”,

  • Rajmond Vlonjati,perputhemi ne letersi,bile do te thonja:Keto vargje,mund ti gjesh ne kenget korcare.
    Pak i cudicem,ne politike:por EVEN SO:Rama me nje sy ,eshte me i mire se saliu qorr!

    • Je gabim or Tirons

      Eama eshte nje njeri qe nuk ka asnje lloj Morali, dhe njerez te tille
      jane krijesat me te liga te Njerezitmit –Keta kane respekt vetem per ata qe ju kane friken,
      por per njerezit e tjere keta si Rama jane te pameshireshem

      Shikoji cmimet e Karburantit, e dritave ujit jane me te lartat ne Bote
      Rama eshte fytyra me e lige qe ka Shqiperia . Eshte tipiku i fytyres se poshter kur themi nje shprehje ne Vlore

      Sala eshte 100 here me i mire se funderina morale Rama , spiuni i psite i Vucicit

    • Po korcaret kane bere kenge ate poezine aty ne fund te Eseninit
      qe fillon me vargun: ” C’mi perdredh ti buzkat nazemadhja moj ” etj etj

      E mbaj mend kete , sepse kur kam qene student ne Inxhinjeri ne kendonim ne dhome, se isha me nja dy shoke nga Elbasani, por qe ishin me origjine nga Kolonja,( njeri Ortodoks e tjetri Myslyman)
      dhe ata i binin kitares , ndersa une beja poezine e kenges dhe muziken, se atehere coku beja poezi dhe muzike, por ishin kenge “tip qaramane ” lol , te rinise se hereshme , tip si kenga “me thoni shoku profesor, a shtyhet fakulteti me zor ‘lol

      Dhe me kujtohet qe ata shoket e kendonin kete kenge , qe thoshin se ‘ishte kenge korcare” , por ju thashe atehere se kjo eshte poezi e Eseninit

  • Ata ishin shpirtra te medhenj njerzor dhe talente te rralle poetik.
    Dhe te tille me keta shpirtra te brishte,ata besuan ne biblen e shkruar komuniste,qe realitetin e kishte zhgenjyes deri ne apokalips dhe per pasoje ata natyrshem shkuan drejt vetvrasjes,ne moshe te re.

  • Thone qe sekretari i cetes se toger babes,Kasem Trebeshina nuk ishte dakord me Enver Hoxhen.
    Sdo mend qe nuk ishte.
    Kasem Trebeshina ishte per gjak.Nuk ngopej me gjak.
    Per Kasem Trebeshinen duheshin vrare te gjithe borgjezet e felliqur,te gjithe shqiptaret e arsimuar,te gjithe bejleret e agallaret me c`kishin lene prapa.
    Te gjithe malsoret katolike.Te gjithe qytetaret katolike te Shkodres.
    Kasem Trebeshina nuk pranonte burgje dhe internime.
    Vetem varje dhe pushkatime.
    Natyrisht qe Enver Hoxha nuk ishte dakord.
    Shoku enver ishte PROGRAMATIK.Skartimet,burgosjet internimet behen me plan pune.Ne fillim plane dyvjecare,pastaj 5 vjecare.
    Mirepo enver hoxha ishte edhe nje mjek adapt per bisha kriminale te tipit toger baba dhe Kasem Trebeshina.Te parin e vari ne Mirdite,duke thirrur :Rrofte Enver Hoxha,,Disidentin Kasem e shtroi ne psiqiatrine e Vlores per te qetesuar instiktet krimanal;e.
    Tani imagjinoni sa baba i dhembshur ishte Stalini,qe vrau,mbyti,vdiq nga uria rreth 20 miljon sovjetike.
    Majakovskij therriste:200 miljone!
    Ky majakovskij ishte si Ivani tmerrshem,,Donte ti shihte fushat e paana te Rusise te vaditura me gjak.
    Stalini nuk e la.
    Dhe ky vrau veten nga plasja.
    E vrane burokratet-thote Kadare..
    Po ata,pra,burokratet,se po ta kishte lene burokrati enver hoxha,sadistin Kasem Trebeshina,,te parin fare,..
    do vriste Kadarene.

  • “”—Pse me sjell ne mon e shkuar..””
    Dy poete ;qe ngjajne” ne vdekje”,
    sa qene gjalle ,per tu afruar ;
    nuk e bene asnji perpjekje!
    Une i desha qe te dy ,
    jo per…”faqe e per sy”
    as per “mjaltin” Esenin.
    Majakovskit “egersine”,
    ” as me bombe as me flamur”
    nuk ja zbehin madheshtine
    as talentin ,krenarine!

  • …………….Une i desha ,une i dua,
    per ate qe ata dhane,
    per ate qe ata lane,
    vargje perla e diamante;
    dy poete qe per pak kohe,
    me poezit qe ata shkruan ,
    mbeten te pavdekshem,
    u perjetesuan!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *