Pandeli Majko paralajmëron se Shqipëria ndodhet në udhëkryq të rrezikshëm ku mafia po e merr peng, ndaj fillimisht duhet shpëtuar qytetari nga pushteti i familjes. Ish kryeministri sqaron pse nuk ka koalicion me LSI në këtë situatë, gjendja e ekonomisë, e kthimi i Berishës në rrezik për rajonin dhe ndërkombëtarët
Pandeli Majko shfaqet si rrallëherë më i vendosur, por edhe i shqetësuar për fatet e Shqipërisë. Ish-kryeministri socialist sheh në horizont se si i kanoset një rrezik mafioz vendit me këtë qeverisje të kapur nga krimi që nuk njeh ligjin dhe votën e qytetarit, por vetëm interesin e Sali Berishës dhe Familjes së tij. Majko mendon se në Shqipëri duhet të sillet një herë ndryshimi dhe të largohet Berisha dhe më pas vendi të ndërtohet siç i takon. Shitja e pasurive kombëtare tek klanet mafioze, mungesa e llogaridhënies, skandalet e qeverisë aktuale dhe familjes kryeministrore, ekzistenca e ligjit vetëm në letër, zvarritja e 21 Janarit dhe pse tashmë një koalicion me LSI duket i pamundur. Majko ka folur dhe për situatën në kampin e djathtë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Sipas tij lufta e klaneve ka për të dëmtuar Partinë Demokratike. Të gjitha këto Pandeli Majko i shpjegon në intervistën më poshtë…
Zoti Majko, kanë kaluar 2 vjet nga tragjedia e 21 janarit. Drejtësia duket se do të vonojë ende të japë verdiktin përfundimtar, ndërsa ambasadorët bëjnë apel që procesi të përshpejtohet. Në gjykimin tuaj pse nuk po zbardhet ajo ngjarje që solli edhe katër viktima nga radhët e opozitës?
Kjo është një pyetje e ripërsëritur. Përgjigja e saj kërkon ripohimin e së vërtetës më shumë si ironi se sa për t’u marrë seriozisht me të. Është njëlloj si të më pyesni “Sot lindi dielli. Si e shpjegoni që ndriçon kaq shumë?!…” Dhe çfarë duhet t’u them!? Të përsëris si vjershë një “rënkim” opozitar për atë që nuk ndodh dhe pastaj t’ju mbush me “sepse-ra”. Pse mos i biem shkurt sipas parimit se “Dielli ndriçon sepse është diell!”. Ngjarja tragjike e 21 janarit nuk është një “gjykim” opozitar, por provë se në Shqipëri shteti ligjor është vetëm në letër…
Mazhoranca aktuale duket se po luan fort edhe me detajet më të vogla për të fituar në zgjedhje. Kujtojmë që në KQZ nuk ka një vendimmarrje për ndarjen e mandateve. A mos po qëndroni më tepër pasiv se sa duhet, dhe po rrezikoni një situatë si në zgjedhjet lokale, edhe në zgjedhjet e 23 qershorit?
Nuk mendoj kështu. Realiteti është ky që kemi dhe nuk ka pse ngjyrën “gri” të tij t’ja kërkojmë edhe opozitës. Sapo më pyetët për një vrasje të katërfishtë që nuk i gjenden fajtorët. Mendoni se në këtë vend normaliteti duhet kërkuar veç për vrasjet ?! Mos e lodhni veten, as lexuesin. Sot ne jetojmë në një qeverisje të tkurrur nga ndjenja e fajësisë dhe presioni i mafies financiare të vendit. Dhe kjo është vetëm ajo që duket nga jashtë. Kjo është drama e të ashtuquajturit modernizim të postkomunistit shqiptar që na fton të ecim në “rrugën siçilane” që po merr vendi. Një metamorfozë që filloi me “Shqipëria po ndryshon” dhe po mbyllet me “Ne jemi ndryshimi !”…Më falni!. Harrova thirrjen “Përpara!”…
Vazhdoni të keni mendimin se basti i Edi Ramës është nxjerrja në pension e Sali Berishës ? Duket se lideri i partisë suaj më tepër se largimin e Berishës kërkon të lërë gjurmë kur të mos jetë në politikë.
(Qesh) Fjala “bast” ishte një simbolikë letrare dhe kaq. Ajo që Edi Rama po kërkon të bëjë në politikë, nuk është një “projekt personal”. Kjo e fundit i takon shprehjes së kryeministrit aktual në një nga mbledhjet e grupit të tij parlamentar, për zgjedhjet e 2013. Do të ishte ironike që udhëkryqi në të cilin ndodhet vendi ynë sot, të shikohej veç si një ballafaqim i dy personave Edi Ramës dhe Sali Berishës. Por në detajin teknik të fletës së votimit, këto dy emra do të përfaqësojnë zgjedhjen e çdo votuesi për mënyrën se si do ecë Shqipëria pas qershorit të 2013. Nuk ka dyshim se kërkesa për ndryshim në këtë vend fillon me largimin e Berishës nga pushteti!. Edi Ramës me pak humor ja kam thënë se “gjurma” e tij në histori fillon nga kjo!. A është “bast” ky ? Padyshim që dukjen e ka të tillë. Ai mund të kthehet në një takim me historinë. Shpresoj që kjo të ndodhë.
Zoti Majko, ju jeni shprehur në mënyrë të përsëritur se një koalicion me LSI është i pamundur. A mos ndoshta jeni duke i ulur shanset PS-së për të marrë pushtetin?
Çfarë t’ju them ?! Kur më pyetët për 21 janarin ju përmenda “diellin”. Tani kam frikë se duhet t’u përmend “hënën”. Opinionet që prodhohen rreth kësaj çështje i ngjajnë ndryshimeve që pëson hëna çdo dy javë… Opinionet ndryshojnë siç nuk ndryshon pyetja se “Pse dolën njerëzit në 21 janar përballë Kryeministrisë ?”. Logjika se pamundësia e koalicionit me LSI ul ndoshta shanset e PS drejt pushtetit, nuk është bindëse. Pasi pas kësaj vjen pyetja se “Çfarë lloj pushteti do rilindim ne socialistët ?”… Kam dëgjuar drejtues të LSI që thonë se nuk kanë ndryshuar asgjë nga opinionet që kanë pasur për 21 janarin. Besoj se me këndvështrimet për ngjarjen tragjike të 21 janarit, Partinë Socialiste e ndajnë nga LSI rrethana bindëse nga zgjedhjet që trokasin aktualisht. Unë ndaj një të kaluar të përbashkët me mjaft njerëz në LSI. Kjo nuk më shmang nga vlerësimi se ka kohë që ata nuk ndjejnë asgjë për suksesin elektoral të Partisë Socialiste. Përkundrazi! Ky është opinioni im. Mos kujtoni se aty nuk ka dhimbje, por ky është realiteti ! Dhe kaq !
Janë hedhur mendime se listat e deputetëve duhet të shpallen që në muajt e para të këtij viti për të mos pritur ditën përpara fushatës? Cili është mendimi juaj?
Në dijeninë time kjo po konsiderohet.
Shqipëria është në një krizë serioze të rritjes së borxheve të jashtme dhe të brendshme. Madje kemi kaluar dhe pragun ligjor me vendim politik. Mendoni se opozita mund të gjejë “tokë të djegur” pas zgjedhjeve të qershorit?
Mendoj se kjo është e edhe më e keqe se kaq. Rreziku që i kanoset Shqipërisë nga politika aktuale e “borxhit pa kufi”, po e çon sipërmarrjen shtetformuese drejt falimentit. Ajo që ndodhi në 1997 do të duket si lojë fëmijësh. Për herë të dytë nën drejtimin e të njëjtit person Shqipëria po merr pamjen e një shteti të dështuar. Për herë të dytë rrezikon që vendi ynë të mos jetë për faktorin ndërkombëtar një çështje e të drejtave të njeriut, por të ketë të bëjë me rrezikun e sigurisë rajonale.
Qeverisja e dobët e së djathtës po kompromenton sipas një modeli të përsëritur parimin e sovranitetit tonë kombëtar. Po shiten pasuritë kombëtare dhe askush nuk di se çfarë po ndodh me to dhe financat e fituara prej tyre. Një heshtje “sindikate” ka përfshirë shoqërinë. Kjo i shtohet dhe faktit që ekziston një vetëdije publike që vendi qeveriset nga njerëz të rrezikshëm dhe me të cilët fjala ka humbur kuptimin. Qeverisemi nga një kastë butaforike dhe vendimmarrja kombëtare është mbledhur tek një individ. I gjithë ky organizim po i jep jetë një psikologjie të papërgjegjshme të menaxhimit të shtetit. Kjo psikologji bazën e edukatës e ka të lidhur me faktin se “kontrata” me doktor Berishën është më e rëndësishme se sa “kontrata” me ligjin. Ky mentalitet na rrezikon si rrallë herë më parë. Tani nuk diskutohet “padija” si në 1997, por një vetëdije e cila po kriminalizon të ardhmen e vendit. Rrezikojmë të akuzohemi nga pasardhësit si të papërgjegjshëm nga mungesa e raportit me të drejtën dhe barazimin e moralit me paranë. Zgjedhjet e 2013 janë sidomos të rëndësishme për të verifikuar largimin e kësaj qeverie si fillimin e mbarimit të këtij stanjacioni. Për këtë arsye fitorja e opozitës ka humbur kuptimin si e tillë. Ajo i takon Shqipërisë.
Meqenëse jemi në prag të fushatës elektorale mund të flitet dhe për situatat në kampin kundërshtar. Në gjykimin tuaj ç’mund të ndodhë me PD-në pas 23 qershorit nëse del në opozitë?
Në se PD humbet aty do të vazhdojë drama aktuale, por që do të jetë veç e saj. Politika e PD do të duhet fillimisht t’i përgjigjet pyetjes se “Çfarë do të bëjë me Berishën?”…
Pas daljes në opozitë do të fillojë përplasja midis “tradicionalistëve” të Jozefina Topallit dhe “pragmatistëve” të pushtetit ekonomik 8 vjeçarin e fundit të Lulëzim Bashës. PD do t’i nevojitet moral për t’u mbajtur “mbi ujë”. Në analizën time duket se “grupi” i Shkodrës do e trajtojë Bashën si fëmijë jashtëmartesor të së djathtës. Se kush do të fitojë, nuk e di. Mbase debati midis tyre do të kalkulojë një “palë të tretë”. Ku i dihet! Në politikë e vërteta është kontroverse dhe gënjeshtra ka kuptim. Ky është një rregull që meriton respekt!
Berisha perseri do ti vjedhe zgjedhjet,bashke me Ilirin,kane bere pare te madhe.Do te harxhojne perseri miliona ta blejne zgjedhes,te korruptojne nderkombetaret,dhe ta cojne vendin edhe njehere si ne 97-ten.Ngriheni popullin opozitar ne kembe ne demonstrata paqesore dhe largoni Berishen para zgjedhjeve.Vetem Zoti mund ta shpetoje Shqiperine.