Majko çel në Tiranë edhe një tjetër fushatë, fonde për 2 vjeçaren e sëmurë

redaktor

Nuk është ideja që thjesht të premtosh pa fund se ç’do të bësh në të ardhmen. “Ndonjëherë” duhet të tregosh edhe me vepra se ato gjëra që ke premtuar, edhe mund t’i bësh realitet. Mund të thuhet fare mirë se një shembull të tillë e ka dhënë dje në Tiranë, Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe kandidat që kryeson listën e Partisë Socialiste në kryeqytet.

Në nisjen e fushatës në Njësinë numër 5, Majko ka bërë një gjest sa simbolik, aq edhe njerëzor. I pranishëm në mbledhjen e asamblesë së zgjeruar të njësisë 5, Majko doli përpara përkrahësve tij me një vogëlushe e cila vuan nga një tumor i rrallë, i cili rrezikon t’i marrë sytë dhe më pas jetën. Siç u mësua, edhe pse vajza i është nënshtruar një operacioni në Greqi dhe shumë seancave të kimioterapisë, mjekët u kanë thënë familjarëve se shpresa e vetme për shërim është kurimi në Gjermani.

Pavarësisht sakrificës për vogëlushen e tyre dhe dashurisë për të, të papunë dhe në gjendje të vështirë ekonomike, ata e kanë të pamundur për ta dërguar vajzën në Gjermani. Lutja publike drejtuar shtetit ka rënë në vesh të shurdhët.

Dhe një përgjigje për të, ka ardhur pikërisht nga kandidati që kryeson listën e socialistëve të Tiranës, por edhe kandidatët e tjerë të PS në njësinë numër 5. Ata bënë një apel publik për të ndihmuar Mejsin e vogël duke kërkuar nga të gjithë ata që kishin mundësi ekonomike për të dhënë nga pak të gjithë dhe për të shpëtuar jetën e së voglës. Majko ka kërkuar që përmes kësaj ndihme t’i jepet mundësi vogëlushes që të shtrohet në spitalin në Gjermani ku do t’i nënshtrohet edhe ndërhyrjes.

Kërkesa e ish-kryeministrit ka sjellë një sensibilizim të madh të qytetarëve të pranishëm në sallë, ndërkohë që është hapur edhe një numër llogarie për të ndihmuar Mejsin e vogël dhe për shpëtimin e jetës së saj.

Pandeli Majko prej një jave ka nisur takimet intensive në kryeqytet duke qenë në krye të 32 kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Ish-kryeministri në mënyrë të veçantë do të mbulojë Njësinë nr.5, e cila është më e madhja. Ai ndihmohet edhe nga kandidatët Blerina Gjylameti dhe Afrim Qëndro.

Share This Article
1 Comment
  • Te lumte Pandeli Majko je me te vertete nje njeri ne rradhe te pare, je nje patriot i vertete, je nje politikan shembullor, i ke te gjitha qe ne shqiptaret do te deshironim te shifnim tek politikanet tane.
    I lutem zoti Thano dhe redaksise se kesaj gazete, le te veje ne faqet e saj numrin e llogarise, dhe ne jemi gati te ndihmojme kete dy vjecare, se femijet jane e ardhmja jone dhe shpetimi i kesaj foshnje do te thote qe ajo kur te rritet me shendet te plote, te ndjeje te njejten dhimshuri qe ndjejme ne dhe me plote te drejten te thote qe populli im me shpetoi.
    Faleminderit zoti Mako, qe e fillove fushaten me nje shprese, me nje ndjenje te forte sic eshte shpetimi i nje femije.
    Besoj se te gjithe shqiptaret te majte apo te djathte, do te japin ndihmesen e tyre, sa do modeste.
    Uroj per kete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *