Deputeti socialist, Pandeli Majko, shpesh ka qenë në qendër të komenteve për shkak të mbiemrit të tij.
Në rrjetin social Facebook, ai ka bërë një shpjegim të prejardhjes së këtij mbiemri.
“Ky është stërgjyshi im, Spiro Majko. Fotoja është gjatë kohës që ai emigroi së bashku me të birin (vllain më të vogël të gjyshit tim) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkuan në Boston. Ishte mbi 70 vjeç kur vendosi të kalonte oqeanin. U kthye i pasur dhe filloi tregtinë. Vdiq në moshën 92 vjeç duke punuar. Ai ishte njeriu i hekurt i fisit tonë.
Ishte ky stërgjysh që vendosi fatin e mbiemrit që do të mbante fisi ynë deri sot. Ai e ndryshoi nga “Memeci” në “Majko”. Ky do të ishte mbiemri i tretë i historisë disashekullore i të parëve të mi.
Mbiemri i parë ka humbur në rrjedhën e kohës. Ai i dedikohet fillesës së familjes së prejardhjes sime. Kjo “fillesë” nis nga një mjek gjerman, i cili u shpërngul nga Parga pas marrjes së saj nga Ali Pashë Tepelena. I huaj dhe me një profesion të lakmuar, me mbërritjen në Gjirokastër, ai për mungesën e komunikimit të rrjedhshëm në gjuhën e vendasve i vunë edhe “nofkën” që u bë mbiemri i dytë dhe që ishte “Memeci”…
Mbiemri gjerman duhet të ketë tingëlluar i “pakuptimtë”. Në përgojimet e familjes vlerësohet se kjo “nofkë” i dedikohej edhe faktit të refuzimit të martesës me familjet e pasura gjirokastrite. Ai i refuzoi ato për shkak të një gruaje me bukuri të veçantë nga shtresat e mesme të qytetit dhe ndërtoi shtëpinë në lagjen Varrosh.
Kjo shtëpi u shit nga gjyshi im, emrin e të cilit unë kam, në vitin 1952 kur e gjithë familja jonë u vendos prej asaj kohe në Tiranë.
Mbiemri “Majko” u vendos nga stërgjyshi im, Spiro. Ai ishte një “mbiemër” njerëzor që u vendos nga marrëdhëniet e tregtisë. Historia jonë familjare flet për marrëdhënien korrekte e njerëzore karshi komunitetit sllav që punonte në çifligjet shqiptare të kohës së perandorisë osmane. Ndihma që jepte dhe kujdesi ndaj tyre bëri që stërgjyshit Spiro t’i vendosej “nofka” e dytë “Majko” (Nënë) dhe që ishte mbiemri që familja jonë mban edhe sot. Arsyet e këtij vendimi i takojnë kohës kur u mor ai.
E ndjej shpesh që “mbiemri” im ju shkakton paqartësi mjaft dashamirësve përfshirë edhe atyre që për qëllimet e tyre më japin lloj e lloj “kombësish”… Ky është një “sekret” që kjo foto më nxiti të mendoja se i kishte ardhur koha që ajo të shpjegohej natyrshëm. Mjaft nga miqtë e mi e dinë këtë fakt prej kohësh. Sot, keqkuptimi i mbiemrit “Majko” në familjen time ngjall veç humor dhe kujtimin e mirë të stërgjyshit tim njerëzor.
Foton, pak ditë më parë, ma solli im atë… Koincidoi edhe me rastin e debatit për ndryshimin e emrit të komunës Liqenas në “Pustec”. Isha i mërzitur me këtë “ndryshim”. Asambleja e Partisë Socialiste të rrethit të Korçës më kërkoi unanimisht ta votoja “pro” këtë ndryshim emri. Kjo foto e stërgjyshit ishte edhe një ftesë nga e kaluara familjare për reflektim.
Historia duhet respektuar pavarësisht si do të dëshiroje të ishte. Pyetja është se a po bëjnë fqinjët tanë të njëjtën gjë që po bën Shqipëria dhe shqiptarët?! Mjafton të dëgjosh deklarimet e fushatës elektorale në Maqedoni dhe kupton se aty zhvillohet një situatë krejt tjetër karshi shqiptarëve.
Vendosa këtë radhë të besoj në kumtin e kësaj fotoje, bërë në Bostonin e largët në SHBA. Ndershmërisht, i ndarë në dy gjysma ku njëra kundërshton tjetrën. Në këtë rast, fitoi ajo që mbart mirëkuptimin që vjen nga e kaluara.
Padyshim, që nëna ime mendon se pavarësisht rrënjëve të mija familjare mua më rëndon “peshorja” nga Kolonja e saj, e maleve të Korçës. Kjo është një histori e gjatë dhe e përsëritur për çdo familje shqiptare. Si rregull, nënat kanë gjithmonë të drejtë…” shkruan Majko.
S’e kuptoj pse Majko lodhet te bej kete spjegim( spjegim qe mund te behej ne nje autobigrafi).?
Akoma s’e ka mesuar Majko qe ne shqipot cfaredo te thote ai, bejme interpretimet tona PHD-iste qe i kemi pale pale ne sirtaret e shtepise e i hedhim uje me bishtin e luges kujtdo qe “munohet me na i hedh”?
O Majko, ti s’ke nevoje per sqarime te tilla te provosh se je shqipetar i kulluar se ke treguar me vepra se je me shqipetar se shume qe e kane emrin puro shqipetar.
Ne Shqiperi si ne cdo vend ka njerez qe kane levizur nga vende te tjera qindra vite me pare, dhe cfaredo eshte origjina e tyre fillestare, ata jane shqipetare, cfaredo qe thone ata sot te nxitur nga paraja qe u jepet nen dore. Lerini pallavrat o shqipetare, katolike, muslimane, vllehe, apo cdo tjeter, keni qindra vjet qe jetoni bashke ne token shqipetare, flisni shqip, kendoni shqip, medoni shqip, me nje fjale: JENI SHQIPETARE!
Mos beni analiza te emrave por te veprave te njerezve!
Se sa per emra, jemi vendi me emrat e mbiemrat me te cuditeshem ne bote.
Po reshtoj disa qe kane bere emer ne historine shqipetare:
Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Bajram Curri, Andon Zako Cajupi, Naim Frasheri…etj.etj…S’eshte emri o njerez, eshte njeriu brenda tij qe te ben te jesh shqipetar apo jo.
TUNG!