Deputeti socialist, Pandeli Majko, thotë në një intervistë për të përditshmen “Panorama” se e sheh si të pamundur bashkëpunimin e PS-së me LSI-në në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Është e qartë se në kushtet aktuale nuk diskuton “ndryshimin”, por “llogarinë” e vet elektorale dhe çështjen e influencës së saj pas zgjedhjeve të 2013-s. Nga çfarë kuptohet, LSI po përpiqet të krijojë bindjen se atë “po e lusin të gjithë…. Më e rëndësishmja është që LSI dëshiron të hyjë në zgjedhje me kartën cinike se cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, ajo do të jetë pjesë e “ndarjes” së pushtetit të ardhshëm. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por numërimi mbrapsht ka filluar dhe ai mbaron më 23 prill, datë në të cilën, në bazë të Kodit Zgjedhor, duhet të dorëzohen dokumentet e aleancave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thotë Majko.
Ndërsa në lidhje me një koalicion të mundshëm LSI-PDIU, Majko thotë se një ide e tillë nuk mund t’i qëndrojë kohës.
“Ideja se LSI mund të ndërtojë një koalicion me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, nuk besoj se do t’i qëndrojë kohës. Si LSI, edhe PDIU kanë përballë dy parti “rishtare” konkurrente me politikanë të vijës së fortë që konkurron polin e tyre të tretë. Ato janë FRD dhe AKZ e Kreshnik Spahiut. LSI duket që dalëngadalë do vihet para zgjedhjes së “madhe” për të zgjedhur kampin dhe pozicionin politik. A kanë mundësi drejtuesit e LSI-së të hedhin “dorashkën” së djathtës, me të cilët qeveris këto katër vjet? Diplomatikisht po përgjigjem… Nuk e di! Përgjigjet e LSI-së janë më të vështira sesa pyetjet që shtrohen për sjelljen e PS-së ndaj saj. E keqja nuk duhet nënvleftësuar as edhe si fjalë në politikë. Në misterin e saj, e keqja është më “magjepsëse” se sa e mira, ndaj është shpesh edhe më imponuese. Shpresoj të jem i gabuar…”.