Një aksident i ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Krujë – Qafë Shtamë i ka marrë jetën një personi dhe ka lënë të plagosur një tjetër. Në aksident është përfshirë një makinë ushtarake që transportonte municione luftarake.
Sipas dëshmitarëve, makina ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një lokal. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, Petrit Bruçi, rreth 40 vjeç, ndërsa është përplasur një kalimtar i rastit i identifikuar si Saba Lika, rreth 50 vjeç. Mësohet se në vendngjarje kanë qenë edhe dy fëmijë, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar. Mësohet se përplasja ka qenë aq e fuqishme sa municionet e ndodhura në mjetin ushtarak janë përhapur gjithandej.
Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, por policia ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes.