Ka vuajtur dhjetëra shekuj,
dhe do vuajë njerëzia,
gjersa në të njëjtën rrugë,
ecën dhe makutëria.
Them se është makutëria,
porsi drogë edhe farmak,
njeriu krejt si padashur,
e fillon pak e nga pak!
E kërkon pak e nga pak,
po më pas nuk fle më gjumë,
nuk njeh kufi edhe cak,
se kërkon shumë e më shumë!
Nuk ndalet makutëria,
kërkon tjetër edhe tjetër,
s’të shpëton as Perëndia,
po mbete në atë kthetër!
Çdo makut është i pështirë,
ndonjë mund ta njihni vetë,
por ai kthehet mynxyrë,
nëse ka dhe pak pushtet!
Nëse ka edhe pushtet,
s’është gjë mortja dhe tërbimi,
për të shtuar pasurinë,
s’ndalet para asnjë krimi!
Nëse njeh makutërinë,
sheh gremina të mëdha,
sa është pak që me shejtanin,
të pish gjak-të bëhesh vëlla!
Makutëria nuk ngopet,
me para dhe me pushtet,
si Klitgordi i Lashtësisë,
ajo ha dhe bijtë e vet!
Nëse mendjen vrisni pak,
mos thoni: “S’i kemi hasur!”,
se makutët tek ky prag,
vite shumë i kemi pasur!
Një vend që drejtojnë makutët,
është si një tunel pa dritë,
ky sistem-që po jetojmë,
është plehu që i rrit!
T’i shpëtosh asaj murtaje,
duhet që të jesh një Burrë,
kur dalin makutë të rinj,
dot përpara s’bëjmë kurrë!
Po të zuri ajo flamë,
s’mban dot frerë dhe kapistër,
nuk ka rëndësi se ç’je,
fajdexhi-apo ministër!
Makutët vetëm për vete,
i korrin gjithë të mbjellat,
nuk ka rëndësi nga vinë,
nga qytetet-a nga shpellat!
Jam vërtetë i mrekulluar,
si kurrë s’kam qenë më parë,
se lexoj e mbaj në duar,
me të vërtetë një thesar!
Katër vargje-jo më shumë,
po katër margaritarë,
këto shtigje ku shkoj unë,
janë hapur shekuj më parë!
“Të ngrehosur nëpër frona,
parazitët janë gjithmonë,
me duart në xhepat tona,
me dhëmbët në mishin tonë!”
Ky qe sot gëzimi im,
nuk i dinim-por i dimë,
poeti është anonim,
po vargjet janë ulërimë!
10 shtator 2016

I mrekullueshem ne cdo varg, strofe e vjershe…