Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deputet i Partisë Socialiste, kritikon projektbuxhetin e vitit 2013 duke e cilësuar si të pajustifikuar rritjen e borxhit publik. Në një intervistë në News24, Malaj akuzon qeverinë se po e keqpërdor buxhetin për përfitime elektorale. “Çdo euro më tepër që shkon për të paguar koston e borxhit është një euro më pak për zhvillimin. Nuk është e vështirë të propozoheshin politika fiskale për të dalë nga kriza. Por mazhoranca nuk dëgjon. Qeveria mundohet të keqpërdorë buxhetin, thjesht për përfitime elektorale. Qeveria harxhon paratë për të bërë makijazh elektoral, ndërsa njerëzit kursejnë qindarkat.”- theksoi Malaj. Sipas deputetit socialist, rënia ekonomike në Shqipëri nuk është thjesht rezultat i krizës globale, por është shkak i keqqeverisjes së vendit. “Berisha thotë merrni shembullin e Japonisë që e ka borxhin 200%, por rasti i Japonisë përmendet se si borxhet e larta pengojnë rritjen ekonomike të vendit. Nuk është shembull për tu përmendur. Ekonomia japoneze nuk zhvillohet më prej 10 vjetësh për shkak të borxheve të larta,” deklaroi deputeti i opozitës.