Sëmundjet infektive të shkaktuara nga pickimet e insekteve, kryesisht mushkonjave bëhen më të shpeshta me afrimin e sezonit turistik.
Krahas alergjive të llojeve të ndryshme, infeksioneve të lëkurës, gjatë kësaj periudhe frika shtohet edhe për sëmundjen e malaries. Pickimi nga mushkonjat mund të çojë në shfaqjen e simptomave të tilla të ngjashme me ato të gripit, e që kanë të bëjnë me ethe dhe temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, probleme të theksuara me muskujt, veçanërisht ato të qafës.
Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili tregon për lexuesit e “Dita” se vonesa në trajtimin e simptomave të malaries mund të mbartë pasoja fatale për jetën. Ndaj në asnjë rast nuk duhet të neglizhohet vajtja tek mjeku specialist për marrjen e trajtimit të duhur që shmang ndërlikimin e sëmundjes deri në pasoja fatale për jetën.
Nga se shkaktohet malaria ?
Malaria është një sëmundje infektive febrile (që shoqërohet me temperaturë), e që shkaktohet nga mikroorganizma të gjinisë “Plasmodium”, të cilat transmetohen tek njeriu nëpërmjet mushkonjës së gjinisë “Anopheles”. Edhe pse për zhdukjen e malaries është punuar shumë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 600 mijë, deri në 800 mijë të prekur kanë vdekur nga malaria në vitin 2012. Pjesa më e madhe e këtyre janë fëmijë të vegjël në Afrikën Sahariane. Më shumë se 198 milionë njerëz kanë rezultuar të prekur në mbarë botë në vitin 2013. Po ashtu në SHBA diagnostikohen çdo vit rreth 1500 raste të prekur nga malaria. Pacientët janë zakonisht udhëtarë që kthehen nga zonat e prekura. Po ashtu, edhe në vendin tonë pas viteve 1990, me lëvizjen e lirë të popullsisë janë diagnostikuar raste të tilla. Natyrisht që pjesë e këtyre rasteve të identifikuara kanë qenë udhëtarë që vinin nga zonat e prekura. Malaria është një çështje serioze, ndonjëherë edhe fatale. Ajo shkaktohet nga mikroorganizmi parazit dhe përhapet nga mushkonjat. Mushkonjat anofele mbartin parazitin dhe ato janë vendi ku paraziti fillon ciklin e tij jetësor. Paraziti (Plasmodium) ka specie të shumta, ku secili shkakton ashpërsi të ndryshme të simptomave klinike dhe i përgjigjet trajtimeve të ndryshme mjekësore. Pas pickimit të mushkonjave paraziti lëshohet në gjak dhe udhëton drejt mëlçisë ku rritet dhe shumohet. Pas kësaj, po nëpërmjet qarkullimit të gjakut infekton dhe shkatërron qelizat e kuqe të gjakut (eritrocidet). Po ashtu nëpërmjet qarkullimit të gjakut paraziti vendoset edhe në organe të tjera, duke i dëmtuar ato.
A është ngjitëse malaria?
Malaria rrallë mund të përhapet pa praninë e mushkonjave anofele. Kjo mund të ndodhë vetëm gjatë transmetimit nga nëna shtatzanë tek fëmija i palindur, nga transfuzionet e gjakut, ose kur përdoruesit e drogave venoze shkëmbejnë shiringat. Edhe pse ka shumë lloje të gjinisë “Plasmodium” vetëm pesë prej tyre infektojnë njerëzit dhe mund të shkaktojnë malarien. Së pari renditet “P. Falciparum”, i cili gjendet në zonat tropikale dhe subtropikale dhe shkakton shumë raste vdekjesh. Së dyti “P.Vivax” që gjendet në Azi dhe në Amerikën Latine. Së treti “P.Ovale” që gjendet në Afrikë dhe ishujt e Paqësorit. Po ashtu është edhe “P.Malariae” që gjendet në mbarë botën dhe mund të shkaktojë forma kronike të infeksionit dhe së fundmi “P.Knoëlesi” që gjendet në gjithë Azinë Juglindore dhe mund të shkaktojë që nga rastet e pakomplikuara, e deri në format më të rënda të malaries.
A mund të parandalohet malaria?
Pikë e fortë në parandalimin e malaries është udhëzimi i personave që udhëtojnë drejt vendeve që paraqesin rrezikshmëri të lartë për këtë lloj infeksioni. Për këtë merren kontakte me specialiste, të cilët bëjnë edukimin e posaçëm, si edhe japin mjekime profilaktike (parandaluese). Ajo që duhet theksuar është se nuk ka mjekime profilaktike 100 për qind efektive dhe për këtë arsye parandalimi i pickimit të mushkonjave është i një rëndësie të veçantë. Këto masa parandaluese duhet të përfshijnë në radhë të parë fjetjen në krevate që janë të mbuluara me rrjeta për të penguar mushkonjat anofele. Këto rrjeta janë më të efektshme nëse janë trajtuar më parë me insecticide. Masë tjetër mbrojtëse janë veshjet që mbulojnë shumicën e lëkurës së ekspozuar dhe këpucët me qafa që mund të zvogëlojnë rrezikun e pickimit. Gjithashtu rrobat në anën e jashtme të tyre mund të trajtohen më insecticide. Me solucion të posaçëm kundër insekteve duhet trajtuar edhe lëkura e zbuluar.
Por, cilat janë shenjat klinike që tregojnë praninë e kësaj sëmundjeje?
Pas pickimit të mushkonjës, shenjat klinike mund të fillojnë mes ditës së shtatë dhe të tridhjetë. Simptomat më të zakonshme janë ato të gripit, me ethe dhe të dridhura, dhimbje koke, të përziera, të vjella dhe dobësi të përgjithshme trupore. Për të përcaktuar saktë diagnozën ka rëndësi raportimi i pacientit, për udhëtime në zonat e mundshme të prekura. Në rastin kur malaria zhvillon formën e saj të rëndë, kemi prekjen e disa organeve siç janë mëlçia, veshkat, truri, ulja e nivelit të sheqerit në gjak, apo anemia e rënde për shkak të shkatërrimit të rruazave të kuqe të gjakut. Simptomat e malaries mund t’i imitojnë edhe shumë sëmundje të tjera duke përfshirë edhe gjendjet virale, por ekziston një ekzaminim specifik i gjakut të pacientit nëpërmjet ekzaminimit të tij në mikroskop duke bërë identifikimin e parazitit “Plasmodium”, që saktëson diagnozën, si dhe trajtimin që pacienti duhet të ndjekë. Zgjedhja e mjekimit bëhet në bazë të llojeve të veçanta të parazitëve të identifikuar, në bazë të ashpërsisë së simptomave klinike, si edhe në bazë të rezistencës medikamentoze në zonën gjeografike ku pacienti ka udhëtuar. Mjekimet antimalarike janë tepër specifike dhe kërkojnë trajtim spitalor. Në asnjë rast nuk mund të veprohet me marrjen e trajtimeve pa përcaktuar në mënyrë të qartë diagnozën nga ekzaminimet përkatëse.
Cila është prognoza e sëmundjes?
Nëse diagnostikimi bëhet herët dhe nëse zgjidhet terapia e duhur, ecuria e trajtimit të malaries është shumë e mirë. Vdekja vjen zakonisht për shkak të mungesës së trajtimit, ose vonesës së fillimit të mjekimit dhe degjenerimit drejt komplikacioneve të rënduara, të cilat dëmtojnë organet jetësore. Malaria cerebrale, një komplikacion i “P.Falciparum”, ka një risk 20 për qind të vdekshmërisë edhe nëse trajtohet. Aktualisht nuk ka vaksinë në dispozicion për të parandaluar malarien. Kjo për shkak të shumllojshmërisë së specieve “Plasmodium”, që janë edhe shkaktare të kësaj sëmundjeje. Megjithatë, studimet vazhdojnë.
