Shkenca i jep të drejtë mjekësisë alternative kineze. Studiuesit kanë zbuluar mekanizmin e një kure të thjeshtë që mjekësie kineze e përdor prej 2 mijë vjetësh kundër malarjes. Metoda e quajtur Chang Shan bazohet në rrënjët e luleborës, të cilat përmbajnë një molekulë që vret parazitin e malarjes, duke bllokuar procesin nëpërmjet të cilit prodhohen proteinat që i garantojnë ekzistencën. Studimi është publikuar në revistën “Nature” dhe është kryer nga instituti kalifornian “Scripps”.
Chang Shan është një kurë e vjetër natyrale kundër etheve të malarjes që bazohet te rrënjët e bimës Dichroa febrifuga, e ngjashme me luleborën. Bima rritet në Tibet dhe Nepal dhe konsiderohet një nga 50 barërat bazë të mjekësisë tradicionale kineze. Substanca në përbërje të saj, febrifugina, është e aftë të “shuajë” disa pjesë të sistemit imunitar. Kjo është arsyeja që i ka shtyrë studiuesit ta studiojnë bimën dhe potencialin e saj në luftën kundër tumoreve dhe sëmundjeve autoimune si artriti reumatik, skleroza e shumëfishtë apo psoriazis.
Sipas studiuesve të drejtuar nga dr. Paul Schimmel, metoda Chang Shan lufton me sukses ethet e malarjes për shkak të molekulës që vret parazitin e sëmundjes në gjakun e të prekurve dhe bllokon procesin e prodhimit të proteinave që i garantojnë jetëgjatësinë këtij virusi.