Rrëfehet ish-kapiteni i Milanit, sukseset dhe rivalitetet në fushë
Paolo Maldini ka treguar nëpërmjet një interviste në “ESPN Classic” se si u ndërtua Milani i famshëm i fillimit të viteve 90-të si dhe disa nga duelet legjendare me yjet e asaj periudhe. “Titulli kampion kundër Napolit? Ka qenë padyshim një fitore e shkëlqyer por e vështirë, edhe për faktin se shkuam në fushën e tyre pak javë para fundit të kampionatit me detyrimin për të fituar atë sfidë. Ajo ishte një arritje e jashtëzakonshme, por ai Milan në nivel fizik stërvitej si askush tjetër në Evropë apo në botë. Maradona ka qenë gjithmonë një kundërshtar shumë korrekt. Në gazeta shpërthente kundër Milanit, kundër tifozëve tanë, por pastaj duhet të them se në fushën e lojës ka qenë gjithmonë një kundërshtar shumë korrekt”. Më pas, ish-mbrojtësi i Milanit dhe kombëtares italiane ka folur edhe për jetëgjatësinë e tij në botën e futbollit. “Fakti që isha djali i Çezare Maldinit më ka shtyrë gjithmonë të bëja diçka më shumë se të tjerët për të vërtetuar se nuk isha “me mik”, ndaj gjithçka që e kam fituar, e kam bërë në fushën e lojës. Sekreti i jetëgjatësisë time në futboll mendoj se vjen nga respekti i madh që kam pasur gjithmonë për punë time, edhe pse e kam cilësuar gjithmonë si një lojë”, ka treguar Maldini.