Mall dhe dhimbje

J L

Çast i zymtë…

 

Në shpirt m’u shuan ato zjarre,

tani mezi shtyj ditën,

alkoolin s’e duroj dot fare,

dhe femrat m’u mërzitën.

 

S’e di aspak se ç’më ka mbetur,

prej lodhjes dhe prej mundit,

nuk jam asgjë veç vesë e tretur,

qiri në frymë të fundit.

 

Më s’di të qesh-më s’di të qaj,

më s’njoh pikën e lotit,

s’di nga të shkoj-s’di nga t’ia mbaj,

s’di pse t’i lutem Zotit.

 

 

Këngë vajze

 

Në shpirt qirinjtë m’u fikën,

se fryu një furtunë,

nga sytë zogjtë më ikën,

dhe vetëm mbeta unë.

 

Nga unë i mërguar,

thesare mund të gjesh,

po zëmër të kulluar,

dhe mua s’do më kesh.

 

Dikur dhe dyzet dete,

më thoshje-do kaloj,

dhe do të marr me vete,

se pa ty s’mund të rroj!

 

Foleza jonë e shkretë,

tani nxin në çdo vënd,

po s’erdhe këtu vetë,

dërgomë shpirtin tënd.

 

Syri m’u errësua,

ndaj tretem në harrim,

po shpirtin tënd e dua,

të rrijë me shpirtin tim.

 

 

Kur erdha tek ty…

 

Zëmra i dha gjoksit,

tri rrahje të forta,

dy luanë të bardhë,

më prisnin tek porta.

 

Shtanga menjëherë,

desha-apo-s’desha,

ti rrije mes tyre,

porsi luanesha.

 

Nga të dy luanët,

zëmra nuk më theri,

s’ishin të vërtetë,

ishin prej mermeri.

 

Tani zemra ime,

nuk rreh-por buçet,

veç ti Luaneshë,

ishe e vërtetë!

 

11 Shtator 2016

Share This Article
1 Comment
  • Njè udhè tè gjatè kanè pèrpara poezitè e Arben Dukès. Sa e sa breza shqipètarèsh do tè lexojnè kèto poezi dhe uroj qè tè mos kenè fatin e atyre statujave tè mermerta tè antikitektit qè flasin me bukurinè e artit tè frymèzuar nga ai realitet qè na duhet vetèm ta parafytyrojmè.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *