Malli apo dashuria?!

redaktor

 

Njëzet e më shumë vjet,
që ty nuk të kam parë,
por s’tretet kurrë në jetë,
kujtim’ i mallit t’parë!

Të trembur si trumcakë,
dhe mënd gjë tjetër s’mbaj,
që kurrë s’u ndezëm flakë,
dhe mbetëm të pafaj!

Të dy ishim një moshë,
gati një mituri,
që s’dinim ç’do të thosh,
dhe ç’qe një dashuri!

Atë vërtet s’e dinim,
po prapë ishim në hall,
dhe pak kur vetëm rrinim,
na kapte keq një mall!

Ia dilnim më në fund,
gënjenim për çdo rast,
na duhej goxha mund,
të rrinim tok një çast!

Të fshehur në një vathë,
të tretur në harrim,
mëkati më i madh,
ka qenë një përqafim!

Dhe prapë e prapë ne shkonim,
te vendi ynë-aty,
që hiç mos na dëgjonin,
ne flisnim veç me sy!

Po shpesh na ngrinin sytë,
dhe binim në një ëndërr,
më jepte syri yt,
një drithërimë në zemër!

Njëlloj nga sytë e mia,
shigjeta mbi ty binin,
kjo ishte dashuria,
po neve nuk e dinim!

S’mbaj mënd përse magjia,
mbaroi për ne të dy,
kur erdhi dashuria,
ne s’ishim më aty!

Këto që di tani,
ahere nuk i dija,
po ku ndryshon-s’e di,
malli nga dashuria?!

Enigmë s’mund të mbetet,
dhe s’pyes asnjeri,
një mall që kurrë s’tretet,
a s’quhet dashuri?

Jam mbytur si në det,
kujtimeve të mia,
se malli rron në jetë,
më shumë se dashuria!

Më kot ky frymëzim,
s’më erdhi varg e varg,
por se një miku im,
të kishte parë nga larg!

Mbi flokun tënd-moj mike,
kish rënë një goxha borë,
po prapë një zonjé fisnike,
dhe jo një plakë e gjorë!

Nuk dua ta takoj,
mendova ashtu kot,
se borën përmbi flokë,
nuk mund t’ia shikoj dot!

Një mituri pa faj,
tek unë dua të mbetet,
se nga dëborë e kohës,
gjithë malli mund të tretet!

Instinktivisht mendoj,
këtej s’ka për t’u dukur,
se mallin për atë,
kam mallin më të bukur!

Po mbase ka harruar,
atë që na ka ngjarë,
dhe vetëm unë kam mbetur,
një skllav i mallit parë?!

Po prapë dhe kjo lirikë,
nuk është dhe fare pak,
kur ende dhe sot jemi,
të trembur-dy trumcakë!

A.DUKA

Share This Article
8 Comments
  • Skllav i pendesës

    Malli për dashurinë,
    Nuk fshihet nga kujtesa,
    Kur ajo e çiltër,
    Ka qënë porsi vesa !

    Kujtim’ i mallit t’parë
    E kjo ndjenjë e fortë,
    Zoçka do ketë qënë,
    Për ta pirë në gotë !

    Robër të pendesës,
    E skllevër të mallit,
    Se zoçka fluturoi,
    Në krahët e djallit !

    • @Ada, e para, nuk eshte poezi, eshte thjesht bejte, e dyta, per pasoje bejteve nuk u kushtohet ndonje vemendje kushedi, e treta, megjithate shume flm per verejtjen miqesore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *