Trajnerët e huaj nuk kanë ndonjë histori të madhe suksesi në Kategorinë Superiore, madje është krijuar bindja që skuadrat që kanë trajnerë të huaj kanë pak shanse për të dalë kampionë. Të shumtë kanë qenë trajnerët e huaj që kanë drejtuar në Shqipëri, ku në vitet e fundit ka një fluks nga Italia, por vetëm dy kanë arritur që të regjistrojnë emrin si fitues.
Dervish Haxhiosmanoviç u shpall kampion me Vllazninë në sezonin 2000-2001, që mbetet edhe titulli i fundit për shkodranët. Ndërsa 11 vite më pas, ishte radha e çekut Stanislav Levi që të dilte kampion me Skënderbeun, pikërisht në sezonin 2011-2012, duke mbetur trajneri i huaji i fundit që ka dalë kampion.
Presidentët e klubeve shqiptare me sa duket e kanë kapur fillin, pasi në dallim nga sezoni i shkuar, këtë vit trajnerët e huaj janë në minorancë. Dy ekipet e kreut të sezonit të shkuar, Kukësi dhe Partizani, që e mbyllën kampionatin dhe përfaqësimin në Europë me trajnerë shqiptarë, kanë ndryshuar mendje dhe në edicionin e ri do të përfaqësohen me trajnerë të huaj.
Partizani është italianizuar në çdo hallkë të klubit dhe me Luçiano Moxhin në katedër dhe Mark Iulianon në pankinë, kërkojnë të kthejnë titullin, që u mungon “demave” nga viti 1993. Ndërsa Kukësi i ka besuar shkollës serbe. Drejtimin e skuadrës e ka marrë në dorë ish-trajneri i luftëtarit, Mladen Milinkoviç, por edhe ndihmësit e tij vijnë nga Serbia.
Nëse i referohemi asaj që kanë prodhuar trajnerët e huaj në Kategorinë Superiore, i bie që Kukësi dhe Partizani të jenë të nominuar që tani për të mos dalë kampion. Gjithsesi, presidentët e të dy klubeve janë shumë optimistë për zgjedhjen që kanë bërë, ndaj Kukësi dhe Partizani kërkojnë ta largojnë “mallkimin” e trajnerëve të huaj në Kategorinë Superiore.
Mbase këto dy klube mund të ndryshojnë gjatë rrugës kullën drejtuese, histori e cila është përsëritur edhe më parë, si te Kukësi dhe Partizani. Të kuqtë e kryeqytetit janë mundur shumë në katër sezonet e fundit që të fitojnë titullin, por maksimumi i arritur është vendi i dytë.
Pritja e gjatë mund të prishet para përfundimit të sezonit të ri, pasi flitet se titullin kampion që Komisioni i Etikës ia hoqi Skënderbeut për edicionin 2015-2016, mund t’ia kalojë Partizanit, por kjo varet nga FSHF./panoramasport/
