Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme Cecilia Malmstrom ka kërkuar nga forcat politike në Shqipëri miratimin e 3 ligjeve të kërkuara nga KE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha, Malmstrom theksoi se për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament, pasi miratimi i tyre nuk i shërben vetëm qeverisë, por qytetarëve shqiptarë dhe projektit të tyre, integrimit në Bashkimin Europian.
Gjithashtu ajo pohoi se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe vlerësuar nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, duke rekomanduar edhe statusin e vendit kandidat, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e siguroi komisioneren Malmstrom se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces të zgjedhor të lirë e të ndershëm, duke shprehur besimin se me Kodin Elektoral konsensual, i cili ka trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe me vullnetin e fortë të të gjithë forcave politike procesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka kërkuar dërgimin e një numri sa më të madh të vëzhguesve të zgjedhjeve.
Ai ka gjithashtu theksoi se qeveria shqiptare mbetet plotësisht e vendosur për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin dhe vendet anëtare të BE-së, për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht e bëjnë jetën e të ardhmen e qytetarëve shqiptarë edhe më të mirë e më të sigurt.
Kryeministri Berisha e njohu komisioneren Malmstrom edhe me përpjekjet, reformat e mëdha dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, në dixhitalizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, në arritjet e rëndësishme përsa i përket shtetit ligjor, por edhe në fushën ekonomike, ku Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk hyri në recesion.
Në takim u vlerësua edhe vazhdimësia e procesit të reformës në drejtësi, por edhe arritjet e rëndësishme të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë kësaj periudhe.