Momo, Mikael Ende
Sa më shumë kohë të kursejnë njerëzit, aq më e varfër, aq më e ngutur dhe aq më e ftohtë bëhet ekzistenca e tyre dhe aq më të huaj bëhen ata vetë. Ata që e ndiejnë më fort këtë mungesë dashurie dhe ngrohtësie janë fëmijët. Por protesta e tyre bie në vesh të shurdhër. Kur fatkeqësia arrin kulmin dhe bota dukej tashmë se po u takonte përfundimisht atyre “zotërinjve gri”, mjeshtër Hora, “administratori misterioz i kohës”, më në fund zemërplasur, vendosi të ndërhynte, po për ketë i duhej ndihma e një njeriu. Bota është në amulli , kurse Momoja, heroina a vogël me flokët si kaçube e kësaj historie, lufton krejtësisht e vetme me asgjë tjetër veçse me një lule në dorë dhe me një breshkë nën sqetull kundër ushtrisë së madhe të “zotërinjve gri” – dhe mrekullisht fiton. E gjithë koha e jetës, për të cilën i kishin mashtruar njerëzit deri tani, kthehet te pronarët e saj.
Në kohën e fluturave, Julia Alvarez
Më 25 nëntor të vitit 1960, tri motra të bukura u gjetën pranë Jeep-it të tyre të shkatërruar në fund të një humnere në bregdetin verior të Republikës Dominikane. Gazeta zyrtare shtetërore e raportoi vdekjen e tyre si aksidentale. Por nuk përmendi që motra e katërt jetonte ende. Nuk shpjegoi gjithashtu se motrat ishin midis krerëve opozitarë kundër diktaturës së gjeneralit Rafael Leonida Trujillo. Dhe nuk kishte përse ta bënte këtë. Të gjithë i njihnin Las Mariposas – Fluturat. Në këtë roman të jashtëzakonshëm, zërat e katër motrave (Minervës, Patrias, Maria Teresës dhe të mbijetuarës, Dedesë) flasin përmes dekadave për të rrëfyer historitë e tyre – nga kordelet e flokëve dhe sekreteve të fshehura, te kontrabanda e armëve dhe torturat e burgut – dhe për të përshkruar tmerret e përditshme të jetës nën sundimin e Trujillo-s. “Një tablo e mahnitshme dhe e fuqishme e historisë së një familjeje dhe të një kombi.”
