Edhe shteti afrikanojugor ka ‘zonjën e tij të hekurt’. Mamfel Ramfele gjatë jetës së saj është angazhuar si aktiviste në luftën kundër aparteidit dhe në fondacione në ndihmë të shtresave në nevojë. Tani ajo ka vendosur të bëhet pjesë e politikës, me kritika të ashpra për qeverisjen aktuale dhe me synimin për ta bërë Afrikën e Jugut një vend më të mirë
Për shkak të keqqeverisjes të partisë në pushtet ANC, sot Afrika e Jugut është vënë në pozita të vështirë ekonomike, sociale dhe politike. Si pasojë, shumë i kanë mbështetur shpresat e tyre te një grua e fortë jugafrikane e që ka kontribuar në historinë e këtij vendi, Mamfel Ramfele. Ajo po përgatitet të sfidojë ANC -në duke krijuar një parti të re. Të hënën do të mbajë në Johanesburg një deklaratë në lidhje me planet e saj politike.
Vitet e aparteidit
E lindur në fund të vitit 1947 në Polokuin, një zonë rurale në rajonin verior të Limpoposë, Mamfel Ramfele kishte dashur gjithnjë të studionte për fizikë, por zgjodhi fakultetin e mjekësisë në universitetin “Natal”, pasi për një femër me ngjyrë si ajo nuk mundësohej karriera shkencore. Në vitet 70’, u bë një aktiviste kundër aparteidit dhe bashkë me Stiven Biko ishte një ndër themelueset e “Lëvizjes së Ndërgjegjes së Zezë”. Në këtë lëvizje organizoi programe zhvillimi dhe në vitin 1975 themeloi qendrën mjekësore komunitare “Zanempilo” në rajonin e Kepit Lindor për t’ju ardhur në ndihmë shtresave në nevojë. Pati një lidhje dashurie të gjatë me Stiven Biko, i cili ishte i martuar. Bashkë patën dy fëmijë, një vajzë që jetoi vetëm 2 muaj dhe një djalë, të lindur në 1978-n, fill pas vrasjes së Bikos nga dora e regjimit. Ramfele humbi shumë shokë jete dhe lufte gjatë viteve të aparteidit dhe vuajti shtypjet dhe burgosjet e njëpasnjëshme, por iu përkushtua studimeve duke marrë gradën e doktoraturës në universitetin e Keip Taunit, e profilizuar në antropologjinë sociale. Gjithashtu ajo u diplomua në degën e administrim-biznesit në “University of South Africa”. Në vitin 1986 u bë pjesë e stafit pedagogjik dhe studiuese në universitetin e Keip Taunit.
Aspiratat
Në vitin 1996, tre vjet pas përfundimit të aparteidit, Ramfele merr detyrën e zëvendësrektores në universitetin e Keip Taunit. Ajo është gruaja e parë me ngjyrë në historinë e universiteteve jugafrikane që merr një detyrë të tillë. Në vitin 2000 caktohet si një ndër katër drejtorët e menaxhimit të Bankës Botërore. Ramfele do të veçojë nga kjo periudhë lidhjet dhe raportet që arriti të konsolidojë nëpërmjet pozicionit të saj. Në vendlindjen e saj, ajo ka mbuluar dhe vazhdon të mbulojë detyra të shumta në organizata të ndryshme joqeveritare, fondacione dhe institute të angazhuara në shërimin shoqërisë nga e kaluara, nga problemet aktuale, si dhe në promovimin e zhvillimit ekonomik. Për momentin, Ramfele drejton “Circle Capital Ventures Limited”, një shoqëri investimesh e angazhuar në projekte zhvillimi, të cilën e ka themeluar më të birin. Një përpjekje kjo për ta bërë Afrikën e Jugut një vend të jetueshëm për të gjithë.
ANC-ja, partia në pushtet e presidentit Jakob Zuma, pritet të fitojë zgjedhjet e 2014-s, por korrupsioni “ka ngrënë” të ardhurat e programeve të ndihmës që synonin të ndihmonin 40% të popullsisë të rënë në varfëri. Veç të tjerash, Ramfele e ka akuzuar presidentin Zuma se është vënë në krye të një sulmi mbi kushtetutën e post-aparteidit. “Ka një shqetësim të madh në lidhje me deklaratat e udhëheqësve të ANC-së dhe zyrtarëve qeveritarë që sugjeron se jo çdo gjë është e mirë në demokracinë tonë kushtetuese. Ne duhet të zhvendosim kuadrin e referimit nga politika e frikës dhe e patronazhit, në mbrojtjen e vetes si sovranë dhe në mbrojtjen e demokracisë tonë kushtetuese “, tha Ramfele gjatë një takimi në Londër.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
