Kanceri i gjirit nuk po prek më vetëm moshat e rritura. Sipas autoriteteve shëndetësore, nga depistimet e kryera shfaqet në rritje numri i rasteve të reja të zbuluara tek grupmoshat 35-40 vjeç, ndërkohë që gjatë dy viteve të fundit sëmundja është zbuluar edhe tek moshat 20 vjeçare. Duke iu referuar shifrave në rritje, ku rreth 500 është numri i pacientëve të rinj që ekzaminohen me këtë sëmundje çdo vit, ekspertë e shëndetit publik apelojnë që të mos neglizhohet kryera e kontrolleve mjekësore, që nga mjeku i familjes e deri tek ai specialist. Kjo pasi zbulimi i sëmundjes që në stadet e para të shfaqjes shton shanset që të trajtohet dhe të mos shoqërohet me pasoja fatale për jetën. Fatkeqësisht në pjesën dërrmuese të rasteve pacientët e zbulojnë sëmundjen shumë vonë. Shkak për këtë bëhet jo vetëm mungesa e shenjave të dukshme të sëmundjes, por edhe neglizhenca në kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme mjekësore. Kanceri i gjirit zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve tek femrat. Për të nxitur kapjen e hershme të sëmundjes, përgjatë gjithë muajit tetor qendrat shëndetësore, spitalet dhe poliklinikat që kanë aparaturat përkatëse janë udhëzuar që të zhvillojnë ekzaminime falas. Në një takim të zhvilluar gjatë ditës së djeshme në një nga institucionet private shëndetësore, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, ka deklaruar se autoritetet e qeverisë po bashkëpunojnë edhe me sektorin privat për të ofruar ekzaminime falas, si mamografi apo “eko gjiri” përgjatë gjithë muajit. Të gjitha gratë, e veçanërisht ato rreth moshës 45-50 vjeç mund të kryejnë një mamografi falas për të mësuar nëse rrezikojnë të preken nga kanceri i gjirit. Mamografia mund të dallojë tumorin rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave, kur ka akoma shanse për t’u trajtuar me sukses. Krahas shtimit të aparaturave diagnostikuese, Ekonomi bën me dije se është rritur edhe numri i citostatikëve që do të shkojnë për trajtimin e këtyre pacientëve. “Për parandalimin e hershëm të sëmundjes në Shqipëri po vihen në dispozicion të popullatës femërore dy mamografë të lëvizshëm. Gjithashtu po investohet në një acelerator linear, për të ndihmuar kurimin. Doja të shtoja faktin që i është dhënë më shumë vëmendje kurimit të sëmundjeve, duke shtuar profesionistë në sistemin tonë shëndetësor publikë, që janë onkolog. Një gjë tjetër e rëndësishme është kurimi i sëmundjeve, ku sasia e barnave citostatikë që përdoren për kurimin e tumoreve është dyfishuar”, ka nënvizuar zëvendësministrja, Milva Ekonomi. Muaji tetor është muaji i sëmundjeve kancerogjene dhe të gjitha spitalet publike në vend, si edhe disa private do të ofrojnë kryerjen e mamografisë falas për femrat.“Kanceri i gjirit shpesh shkakton shqetësim, stres dhe ankth. Është fakt konkret dhe i dukshëm se, informimi dhe sensibilizimi ka çuar në zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit. Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më tepër rriten edhe mundësitë për shërimin e tij”, bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik. Në udhëzuesin e përgatitur nga tre ekspertët e shëndetit publik, Alban Ylli, Kozeta Filipi dhe Jeta Lakrori detajohet edhe lloji i ekzaminimit që duhet kryer për secilën grupmoshë.
Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Qelizat në një pjesë të gjirit bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojnë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale mund të përhapen dhe të dëmtojnë apo shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth. Gjithashtu, ato mund të përhapen edhe në pjesët më të largëta të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose nëpërmjet sistemit limfatik.
Kush mund të preket nga kanceri i gjirit?
Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Zakonisht preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Kështu, nëse në moshat 20 vjeçare kanceri i gjirit takohet 1 rast në 2000 femra, në moshat 50 vjeçare takohet 1 rast në 40 femra, në moshat 70 vjeçare takohet 1 rast në 25 femra, ndërsa në gjithë jetën e një femre takohet 1 rast në 10 femra.
Kanceri i gjirit është një problem i grave pavarësisht se haset në raste të rralla edhe tek burrat, rreth 99 për qind e kancereve të gjirit zhvillohen te gratë, te burrat takohet 100 herë më rrallë.
Çfarë e shkakton kancerin e gjirit?
Askush nuk e di me siguri se çfarë e shkakton kancerin e gjirit apo pse disa gra bëjnë kancer gjiri dhe të tjera jo, pse disa janë më të rrezikuara për të zhvilluar kancer gjiri dhe të tjera jo. Por, dihet se ka disa faktorë që duket se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri. Disa faktorë ne nuk mund t’i ndryshojmë dhe disa të tjerë jo. Në listën e faktorëve që ne mund t’i ndryshojmë bëjnë pjesë pakësimi i yndyrave, alkoolit, kryerja e aktivitetit fizik, kujdesi për mbipeshën dhe obezitetin, kujdesi në përdorimin e kontraceptivëve oralë, lindjet, etj. Ndërsa faktorët gjenetikë, moshën, etj, nuk mund t’i ndryshojmë.
Shenjat e kancerit të gjirit
Kanceri i gjirit mund të shfaqet me një sërë shenjash të ndryshme. Në shumicën e rasteve shenja më e zakonshme e kancerit në gji është një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull. Po ashtu shfaqet ënjtje e një pjesë apo e gjithë gjirit, irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit, apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit, gropëzim (kthim nga brenda) e thithit, skuqje, apo zënie kore e thithit apo lëkurës së gjirit, rrjedhje nga gjiri, sidomos rrjedhje gjaku, dhimbje në gji apo në thithin e gjirit, si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.
Kur dhe si duhet bërë mamografia
Mamografia është një ekzaminim specifik radiografik i gjirit, përdor rrezet X me doza të ulëta dhe të padëmshme, si dhe një nga metodat e ndjeshme që përdoret në diagnostikimin e sëmundjeve të gjirit.
Mamografia e kap kancerin e gjirit në faza të hershme, atëherë kur shenjat nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë, kur ai akoma nuk e ka kaluar madhësinë prej disa milimetrash. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2-3 vjet para shfaqjes së shenjave.
Ekzaminimi klinik i gjirit
- Ekzaminimi klinik i gjirit është një vizitë e gjirit e kryer nga një personel mjekësor i trajnuar.
- Ekzaminimi klinik i gjirit mund të kapë deri në 65 për qind të kancerit të gjirit.
- Ekzaminimi klinik i gjirit mund të arrijë të kapë disa kancere të gjirit në faza të hershme.
- Ekzaminimi klinik i gjirit bëhet çdo 1-3 vjet, në varësi të moshës, nga mosha 30 vjeç.
- Ekzaminimi klinik i gjirit kryhet 5-7 ditë mbas menstruacioneve.
- Ekzaminimi klinik i gjirit duhet të kryhet i plotë në të gjithë shtrirjen e tij.
- Ekzaminimi klinik i gjirit i plotë përfshin shikimin dhe prekjen e gjirit e të nyjeve limfatike për të vërejtur ndonjë ndryshim në formën, madhësinë apo në lëkurën e tyre, dhe për të prekur ndonjë nyjëz apo gungë.
- Gjatë ekzaminimit klinik të gjirit, çdo sipërfaqe që preket duhet të kalohet tri herë, duke përdorur prekje me presion të lehtë, të mesëm dhe të fortë.
- Gjatë ekzaminimit klinik të gjirit, prekja bëhet me mollëzat e tre gishtave.
Ekografia e gjirit
Ekografia është një mjet që përdor ultratinguj për ekzaminimin e gjirit.
• Ekografia nuk mund të përdoret si test i vetëm për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
• Ekografia përdoret së bashku me mamografinë, nëse kjo e fundit nuk sqaron disa ndryshime në gji.
• Ekografia nuk fotografon apo nuk jep imazhe për zonat e thella të gjirit.
• Ekografia këshillohet për gratë e reja, gra që kanë ind të dendur, të ngjeshur ose për gratë që nuk kanë ushqyer me gji.
Somarjo
Gratë që kanë disa faktorë rreziku, si probleme beninje të gjirit, histori familjare për kancer gjiri, fillimi i hershëm dhe mbarimi i vonshëm i menstruacioneve, lindja e fëmijës mbi 30 vjeç, obeziteti apo konsumimi i tepruar i alkoolit, kanë një rrezik më të rritur se mesatarja për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre ju rekomandohet ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit, fillimi i mamografisë që në moshën 40 vjeç dhe përsëritje çdo vit, vetëkontontroll mujor i gjirit.
Gratë kanë një rrezik të fortë për të zhvilluar kancer gjiri :
• Nëse kanë histori personale për kancer gjiri, ju rekomandohet: “Mamografi çdo vit sipas diagnozës dhe ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit”.
• Nëse kanë faktorë klinikë si ind i ngjeshur gjiri, rrezatim në fëmijëri, ju rekomandohet: “Ekzaminim klinik i gjirit çdo vit, mamografi çdo vit (në asnjë rast jo para moshës 25 vjeç), konsultë me specialistin e gjirit”.
• Nëse kanë faktorë klinikë si histori familjare për kancer gjiri nën moshën 50 vjeç, apo dy ose më shumë familjarë të së njëjtës degë me kancer gjiri ju rekomandohet: “Ekzaminim klinik të gjirit çdo vit, mamografi çdo vit duke filluar që 40 vjeç, ose 5 deri 10 vjet më parë se fillimi i kancerit tek familjarët e saj (në asnjë rast jo para moshës 25 vjeç), si dhe konsultë me specialistin e gjirit”
• Nëse kanë faktorë gjenetike, janë bartës të difektit BRCA1 apo BRCA 2, kancer gjiri tek një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin familjar, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë ju rekomandohet: “Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj, mamografi ose rezonancë magnetike çdo vit nga 25 vjeç , si dhe Konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik.
Edhe meshkujt preken nga kanceri i gjirit
Përdorimi pa kriter i alkoolit rrit rrezikun e kancerit të gjirit për shkak të efekteve toksike që ai ka në mëlçi. Po ashtu negativisht ndikojnë edhe sëmundje të ndryshme të mëlçisë për arsye se ndikon në metabolizmin e hormoneve seksuale. Për shembull burrat me cirrozë të mëlçisë kanë nivele të ulëta të androgjeneve dhe nivele të larta të estrogjeneve, prandaj dhe mund të kenë rritje të rrezikut për kancerin e gjirit. Gjithashtu risk të lartë mund të kenë edhe burrat që marrin terapi estrogjenike për ndryshim seksi, ose ata që trajtohen me estrogjene për kancerin e prostatës por në rastin e fundit, përfitimi për ngadalësimin e kancerit të prostatës është më i madh se rreziku që kanoset.
