Shefat e Manchester City kanë shpenzuar deri tani £200 milionë dhe ndërkohë, më shumë para pritet të investohen akoma deri në përfundim të merkatos. Ambiciet e merkatos së Pep Guardiolas tregojnë që Manchester City mund të thyejë rekordin e Real Madrid për fuqinë shpenzuese në një sezon merkatoje.
Në verën e vitit 2009, presidenti i klubit Los Blancos, Florentino Perez i dorëzoi Manuel Pellegrinit një thesar të vogël për të rindërtuar gjigantët e Spanjës.
Ndërkohë që Pep ka shpenzuar deri tani thesarin e tij për blerjen e Kyle Walker, Danilo dhe Benjamin Mendy, dy mbrojtës të djathtë dhe një të majtë, Real Madrid shpenzonte pjesën më të madhe të thesarit për të blerë fitues të Topit të Artë.
Cristiano Ronaldo mbërriti nga Manchester United për rekordin e asaj kohe me vlerë prej £80milionë, ndërsa Kaka u ble nga AC Milan për £56milionë. Ajo verë u shfrytëzua nga Real Madrid për blerjen e dy futbollistëve të tjerë që do të shndërroheshin në lojtarë kryesorë në fitimin e disa trofeve në Champions League dhe La Liga.
Xabi Alonso kushtoi £30milionë dhe u ble nga Liverpool, me madrilenët që shpenzuan të njëjtën shumë edhe për blerjen e sulmuesit Karim Benzema nga Lyon.
Padyshim që ato vlera transferimesh duhen rivlerësuar duke marrë në konsideratë edhe inflacionin në këto tetë vite, me Ronaldon 26-vjeçar që padyshim sot do të kishte vlerën £200milionë, por gjithsesi, shpenzimet nga ana e Pep Guardiola janë kritikuar nga të gjitha anët.
Guardiola shpenzoi një shumë rekord për një portier, duke paguar £34milionë për Ederson Moraes që në debutimin e tij bëri një gabim gjigant në përballjen ndaj rivalëve të Manchester United. Bernardo Silva, i blerë nga Monaco për £42.5milionë është futbollisti i vetëm ofensiv që Guardiola i ka shtuar skuadrës në këtë merkato.
Kërkimi i dëshpëruar për ndihmë në mbrojtje ka dëshmuar se Manchester City ka shpenzuar më shumë se £300milionë në portierë dhe mbrojtës që nga viti 2013, me shumë prej tyre që kanë rezultuar dështime të bujshme.
Shpenzimet totale të Real Madrid në vitin 2009 afërsisht £219.80milionë, ndërkohë shpezimet aktuale të Manchester City përllogariten në shumën £216.15milionë, me mundësi për tu shtuar gjatë rrugës, deri më datë 31 gusht.
Manchester City përflitet ende për tentativat në kërkim të yllit të Monaco, Kylian Mbappe sikurse dhe për rebelin e kontratave të Arsenal, Alexis Sanchez. Me më shumë se një muaj në dispozicion, dhe me shumë boshllëqe në skuadrën e Manchester City, trajneri Pep Guardiola ka shumë shanse të thyejë rekordin e shpenzimeve në një sezon të vetëm merkato.
