Mancini: Derbi emocion unik, Inzaghi trajner me të ardhme të madhe

redaktor

Roberto Mancini përgatit debutimin me Interin në një ndeshje jo si të tjerat. Derbi i Milanos hap dyert për trajnerin që në të shkuarën ka fituar tre tituj kampion me Interin, por 2014-a është një histori tjetër sepse ish-sulmuesi e gjen Interin në një situatë delikate pas shkarkimit të Walter Mazzarrit për shkak të ecurisë së dobët në javët e para të sezonit.

Në konferencën për shtyp përpara derbit të Madoninas, Mancini analizon këtë përballje që do të jetë edhe hapi i tij i parë drejt rrugës së re.

“Skuadrën e gjeta në gjendje të mirë pavarësisht vështirësive që kam me lojtarët e aktivizuar me kombëtaret. I kam ndjekur të gjithë lojtarët por kam nevojë për më shumë kohë. Skuadra është e përqendruar por kjo nuk do të thotë se i kemi zgjidhur problemet”.

Por cilat janë pritshmëritë e Mancinit për derbin e parë sezonal dhe të parin për të pas shumë vitesh?

“Kam ndjesi pozitive pasi kjo është gjithmonë një sfidë e veçantë dhe shumë e bukur. Tani nuk duhet të shikojmë klasifikimin pasi duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Unë do të bëj punën time duke dhënë maksimumin dhe më pas do të presim për të parë se çfarë do të ndodhë. Rikthimi në San Siro do të jetë një emocion unik”.

Për Mancinin nuk është i rëndësishëm fakti se si do të zbresin lojtarët në fushë, por si do të sillen ata në këtë ndeshje. Tekniku zikaltër u përqendrua më pas te Inzaghi, duke shprehur bindjen se kolegu i tij ka një të ardhme të madhe përpara. Në vijim, ai përqendrohet te skuadra e tij e re dhe marrëdhëniet me presidentin Thohir.

“Dua që skuadra të tregojë në fushë ato që provojmë në stërvitje gjatë javës. Kam nevojë të kuptoj nëse mund të luajmë si një skuadër e bashkuar. Skuadra duhet të rritet sepse në futbollin modern lojtarët duhet të bëjnë një punë të madhe edhe në lojën pa top. Një skuadër fituese duhet të pësojë pak gola dhe në këtë aspekt kemi shumë për të rregulluar. Me Thohir kuptohemi mirë por kemi kohë për t’u njohur edhe më mirë sepse ai ka një pasion të madh për futbollin dhe për Interin”.

I pyetur nga gazetarët për deklaratën e Andrea Agnellit, i cili lë të hapur një mundësi për rehabilitimin e figurës së Luciano Moggit, Mancini nuk preferoi të përgjigjej.  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *