Rikthimi i Roberto Mancinit në krye të Interit, ende nuk e ka krijuar impaktin e duhur në rezultate, megjithatë trajneri 50-vjecar, nuk është nga ata që dorëzohet lehtë. Objektivi parësor i tij mbetet pjesëmarrja në Champions League, ndërsa vitin e ardhshëm Interi mund të tentojë edhe titullin kampion të Serisë A.
“Unë nuk jam magjistar. Na mungon diçka dhe për këtë duhet pak kohë. Gjithsesi unë besoj se sezonin e ardhshëm do të luajmë në Champions League. Interi duhet të kthehet në garë për titullin kampion sezonin e ardhshëm, por ky objektiv varet shumë nga ajo që do të arrijmë në sezonin aktual.”
Ndryshimi tek Interi duhet të ndodhë në organizimin e lojës, ku sipas Mancinit aksionet duhet të nisin nga këmbët e Kovacic.
“Duhet ta kemi më shumë në zotërim topin dhe Matteo mendoj se i ka cilësitë për të nisur ndërtimin e aksioneve tona. Por përmirësimi duhet të vijë nga e gjithë skuadra. Osvaldo? Nuk me duket momenti i duhur për të folur për të, shpresoj të gjendet zgjidhja më e mirë.”
Mancini foli më pas edhe për merkaton zikaltër, duke këmbëngul se një skuadër bëhet e madhe duke patur në organikë lojtarë të mëdhenj.
“Po më thoni që jam i zoti për të afruar lojtarë cilësorë? Sigurisht që klubet e mëdha gjithmonë synojnë lojtarët më të mirë. Cerci? Ishte në listën tonë, por gjithsesi jam i lumtur që iu bashkua Milanit. Përsa i përket Balotellit, i uroj më të mirën dhe shpresoj të kthehet ai i pak viteve më parë.”
Në fund Mancio zbuloi se nuk ka qenë në asnjë moment favorit për të marrë detyrën e trajnerit të Juventusit.
“Drejtuesit e Juventusit nuk më kanë kontaktuar dhe mendoj se pas lamtumirës së Contes kanë patur si objektiv Massimilianon. Ata kanë vepruar drejt që firmosën me Allegrin, këtë e tregojnë rezultatet. Inzaghi? Milani duhet të ketë më shumë besim tek ai, sepse është i ri. Pipo e dinte që do të kishte momente të vështira. Kanë nevojë për eksperiencë, por cilësitë nuk u mungojnë.”
