Anëtarët e PD-së në Këshillin e Mandateve janë paraqitur në Kryesinë e Kuvendit duke kërkuar mbledhjen urgjente.
Në një tjetër prononcim për gazetarët, anëtari i Këshillit nga grupi i PD-së, Eduard Halimi deklaroi se kishte kontaktuar me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe ky i fundit ishte shprehur se nuk ka ende një kërkesë zyrtare nga prokuroria për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.
Për këtë arsye, nuk ka asnjë njoftim se kur do të mblidhet Këshilli për Rregulloren e Mandateve për të vendosur mbi këtë kërkesë.
Ashtu si më herët, Halimi tha se çdo moment që kalon, rrezikon fshirjen e provave.
Ai kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
