Manjani: E majta e bashkuar, një projekt që publiku e ka kërkuar prej kohësh

redaktor

Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, gjatë një konference për shtyp ka bërë publik një projekt që me sa duket ka ekzistuar prej dy vjetësh.

Duke paraqitur qëndrimin zyrtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me zhvillimet e ditëve të fundit, Manjani tha se “përshëndesim vendimet e marra deri tani, kryesisht të Partisë Socialiste për t’u ndarë një herë e mirë nga shantazhi si mënyrë për të bërë politikë.” Më tej ai foli për realizimin e një projekti midis LSI-së dhe PS-së.

“Më herët, jo sot, por të paktën 2 vite më parë, ta realizojmë në bashkëpunim me Partinë Socialiste si një entitet politik i përbashkët, që quhet ndryshe e majta e bashkuar. E majta e bashkuar, një projekt i cili të gjithë votuesit e majtë, por në përgjithësi opinioni publik e ka kërkuar prej kohësh.

Ky është një projekt i arritur, pavarësisht ulje-ngritjeve individuale, e theksoj, individuale, asgjë s’është institucionale.

Sidoqoftë ky mbetet projekti më i rëndësishëm për ne për të realizuar të gjitha projektet politike për të cilat ne jemi votuar dhe është e sigurt që do të votohemi në shumicë siç është votuar gjithmonë nga e majta shqiptare, LSI-ja, Partia Socialiste e kështu me radhë të gjithë partitë tona që e përbëjnë këtë unitet politik”, tha Manjani.

Me këtë rast, Manjani shprehu mbështetjen dhe qëndrimin e prerë, të qartë dhe si asnjë herë tjetër më parë, të dhënë apo të emetuar një ditë më parë nëpërmjet përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ku u mbështet kjo vendimmarrje politike shqiptare për t’u ndarë, e theksoj, në tekst duke cituar, nga krimi dhe persona të inkriminuar.

“Sigurisht na vjen keq që nuk gjejmë dot një unitet në të gjithë radhët e partive politike në këtë vend, që në vend që të jemi sot, sot duhet të ishim në anën e antikrimit, në anën e partnerëve euroatlantikë, sot gjendemi në histori thashethemesh, në vorbulla mediatike, që stisen për interesa të caktuara, kryesisht sponsorizohen nga ish-drejtues apo drejtues të Partisë Demokratike, të cilët cila në vite ka mbijetuar në pushtet për fatin e keq pa vota, por me përçarje dhe kjo është ajo që ka ndodhur.

Dhe sigurisht që projekti i së majtës së bashkuar është tmerri i këtyre përçarësve që kanë sunduar për fatin e keq pa mbështetjen e elektoratit shqiptar’, theksoi nënkryetari i LSI-së.

Në deklaratën e tij, Manjani u ndal dhe në qëndrimin e opozitës ditët e fundit. “Koha e përçarjes, ashtu edhe koha e përçartjes, kanë marrë fund bashkë me të përçarturit që flasin në tym, në kushtet e paranojës, në kushtet e sëmundjeve të thella psikike, të cilat sa na takon ne si LSI nuk marrim përsipër t’i kurojmë, sepse kemi vendosur të ruajmë rregullat e higjienës mendore, duke mos u marrë me këtë lloj insinuatash paranojake.

Nuk shërojmë dot asnjë paranojak, është e pamundur që ta shërojmë. Fakt është që ka shumë sot në rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë që marrin përsipër autorësinë e vrasjes së ndonjë deputeti, por fakt është që këta deputetë janë gjallë dhe kjo është një histori që do tirret e do stirret në kuptimin e telenovelës politike shqiptare, për të cilat gara ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike dhe ish-Kryetarit të Partisë Demokratike është një garë shumë interesante.

Ju ftojmë që ta ndiqni. Është vërtet një garë që ia vlen të ndiqet me vëmendje, sepse kjo po prodhon një telenovelë fantastike. Sigurisht nuk merret vesh kush është kryetari. I patë besoj edhe sot që dolën të dy rresht njëri-pas tjetrit, një herë Loli dhe pastaj Coli dhe kështu me radhë.

Ky është një sanduiç që nuk merret vesh se ku e ka fillimin dhe fundin, historia është që ka filluar me një kunat dhe do të përfundojë me një kunat. As Ilir Metës, as të LSI-së, asnjë njeriu tjetër nuk i duhet as koka, as mundi, as djersa e askujt tjetër, përkundrazi secili është i lirë në një shoqëri demokratike të provojë akuzat edhe kur i ka në paranojë, ashtu siç parashikon ligji demokratik, Kushtetuta e vendit”, tha Manjani.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *