Pas heqjes së licencës për kompaninë çeke “CEZ Shpërndarje” një muaj më parë, qeveria shqiptare ka nisur përgatitjet për t’u përballur në arbitrazh. Në mbledhjen e djeshme ekzekutivi miratoi një shtesë prej 550 mijë eurosh në buxhetin e këtij viti për Ministrinë e Ekonomisë. Nga ky fond, 350 mijë euro do të përdoren për përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për të kryer procedurat e auditimit të “CEZ Shpërndarje”. Ndërsa, shuma prej 200 mijë euro, për përzgjedhjen e një shoqërie vlerësuese ndërkombëtare për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes. Në vendimin e djeshëm thuhej qartë se “Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në buxhetin e vitit 2013, t’i shtohet fondi 550 000 (pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro, nga i cili shuma prej 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, për përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për të kryer procedurat e auditimit të shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, sh.a., dhe shuma prej 200 000 (dyqind mijë) eurosh, për përzgjedhjen e një shoqërie vlerësuese ndërkombëtare për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes” dhe “efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave”, një kosto shtesë tjetër për taksapaguesit shqiptar në kurriz të privatizimeve të dështuara të qeverisë tonë.
Ishte fillimi i këtij muaji kur zyrtarë të grupit CEZ deklaruan se kanë filluar procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar pas një mosmarrëveshjeje që zgjati për thuajse një vit me qeverinë shqiptare dhe heqjes së licencës në muajin janar. Enti Rregullator i energjisë i hoqi licencën e shpërndarjes dhe të furnizimit publik me pakicë CEZ-it më 21 janar, ku si argument ishte shkaku të paaftësive financiare të kompanisë për kryer importet e energjisë dhe mospërmbushjes së detyrimit për investime dhe mirëmbajtje të rrjetit energjetik. Qeveria shqiptare e ka llogaritur dëmin e shkaktuar nga CEZ në afro 1 miliard dollarë. Drejtues më të lartë të grupit CEZ janë shprehur se, është informuar qeveria shqiptare për fillimin e procedurave të arbitrazhit. Kompania CEZ, ku pjesën më të madhe të aksioneve zotërohen nga qeveria çeke, nuk shprehet se ku do të bazohen procedurat e arbitrazhit, apo se sa do të jetë dëmi i shkaktuar, edhe pse deri tani është deklaruar se janë 200 milionë euro dëme të shkaktuara nga investimi në Shqipëri. Përfaqësues të CEZ kanë theksuar se, pas mbylljes së vitit fiskal të kompanisë, më 28 shkurt, do të dilet me një deklaratë të saktë mbi dëmin e shkaktuar. Kompania CEZ bleu 76% të aksioneve të ish-OSH në në vitin 2009 me një vlerë prej 102 milionë euro. Kontrata që kjo kompani lidhi me qeverinë shqiptare, parashikonte investime në rreth 300 milionë euro në katër vitet e para të funksionimit të saj. As 10% e kësaj vlere nuk u investua në rrjetin shqiptar të energjisë, duke detyruar organet shtetërore të mbikqyrjes së tregut energjetik që të marrin masa për heqje të licencës dhe shtetëzimin e kompanisë.
Kalimi i shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga sektori publik në atë privat u pa nga qeveria shqiptare si një privatizim strategjik që do të përmirësonte ndjeshëm cilësinë ndaj konsumatorëve shqiptarë. Për këtë arsye, shteti shqiptar në bashkëpunim me Bankën Botërore, në Tetor të vitit 2008 hapën tenderin për privatizimin e ish OSSH. Kompania Çeke paraqiti ofertën më të lartë, për privatizimin e këtij sektori, rreth 102 milionë euro për 76% të aksioneve. Pjesa tjetër e aksioneve u mbajt nga qeveria shqiptare dhe konkretisht nga Ministria e Ekonomisë, për të mundësuar diversifikimin e portofolit si edhe për të parandaluar e një monopoli në tregun energjetik shqiptar që mund të krijohej nga kompania. Nga të katër kompanitë ndërkombëtare që morën pjesë në tenderin e zhvilluar asokohe, CEZ ishte kompania e preferuar edhe e konsulentit, apo Bankës Botërore, që garantoi 60 milionë dollarë për privatizimin e sektorit. Cez operon edhe në vende të tjera të Europës, si në Çeki, Turqi, Bullgari etj dhe përmbushte të gjitha kërkesat e vendosura për privatizimin e sektorit strategjik. Arsyeja kryesore që kompania u shpall fituese ishte plani i saj i investimeve, i ndarë në katër periudha rregullatore dhe që pritej të përmirësonte ndjeshëm rrjetin e furnizimit me energji elektrike. Parashikohej investimi i rreth 300-400 milionë euro në një periudhë 5-vjecare për të ulur humbjet në rrjet, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe mbrojtjen e kosnumatorit shqiptar nga abuzimet. Por kontrata u ndërpre dhe tashmë sërish energjia elektrike ka kaluar në duar të shtetit shqiptar dhe nuk po shihet ndonjë përmirësim në muajin e parë të administrimit, vec kostove të shtuara së fundi dhe me këtë vendim qeveritar për tu mbrojtur në arbitrazh.

550,000 euro per tu mbrojtur dhe 200,000 euro gjobe dhe qeveria del faqebardhe se parate i paguajne shqiptaret, si paguan 20-miljon dollare dhe disa qindra mijra euro, ne gjyqin kunder General-Motors, per heqjen e licenses se trenit elektrik Tirane-Durres.
Kjo eshte nje nga sistemet me te bukura dhe fitimprurese te qeverise talibaneze te Berishes.
Gabim gjoba eshte deri ne 200 miljone se e kam shkruajtur me lart 200,000.