Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është një nga taksat më të rëndësishme të qarkullimit tregtar.
Për këtë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përpiluar një manual për detyrimet dhe të drejtat që kanë tatimpaguesit e përfshirë në TVSH.
Çdo person rezident në Shqipëri, qarkullimi vjetor i veprimtarisë ekonomike të të cilit është mbi vlerën 5,000,000 lekë, që është kufiri minimal të regjistrimit për TVSH-në, është subjekt i kësaj takse.
TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje, mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet i pagueshëm, pasi më parë zbritet TVSH që rëndon drejtpërdrejt, elementët e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.
Regjistrimi si subjekt i pagesës së TVSH bëhet brenda 15 ditëve nga data e kalimit të kufirit minimal, kur qarkullimi gjatë 12 muajve të njëpasnjëshëm tejkalon kufirin 5 milionë lekë.
Ndërsa çregjistrimi bëhet kur qarkullimi në 12 muajt e fundit kalendarikë bie nën kufirin minimal të regjistrimit. Çregjistrimi, hyn në fuqi 12 muaj pas datës së paraqitjes së kërkesës për t’iu nënshtruar regjimit të bizneseve të vogla.
Rregulla të veçanta
1-Për çdo pagesë të kryer para se të kryhet furnizimi i mallit ose para përfundimit të furnizimit të shërbimit, TVSH-ja mbi pagesën lind dhe bëhet e kërkueshme në momentin e arkëtimit të shumës së paguar.
2-Në rastin kur fatura tatimore është lëshuar përpara furnizimit, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur është lëshuar fatura.
3-Në qoftë se kryhen pagesa pjesore ose pagesa të njëpasnjëshme për furnizimet e mallrave ose të shërbimeve, këto furnizime mallrash ose shërbimesh konsiderohen të kryera në përfundim të çdo periudhe, së cilës i referohen pagesat.
4-Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera në mënyrë të vazhdueshme, brenda një periudhe kohore, përfshirë operacionet e ndërtimit, konsiderohen të kryera në të njëjtin muaj, në të cilin lëshohet fatura.
5-Për mallrat, të cilat në momentin e hyrjes në Shqipëri nuk janë në qarkullim të lirë dhe i nënshtrohen regjimeve të veçanta doganore, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur këto mallra çlirohen nga regjimet ose situatat e sipërpërmendura.
Vlera e tatueshme
Vlera e tatueshme përfshin gjithçka që përbën vlerën korresponduese që furnizuesi i mallit ose shërbimit merr ose do të marrë nga blerësi, klienti apo një i tretë, në këmbim të furnizimit, përfshirë edhe subvencionet e lidhura drejtpërdrejt me çmimin e këtyre furnizimeve, përveç TVSH-së. Vlera e tatueshme e mallrave të importuara përbëhet prej vlerës së përcaktuar në import nga autoriteti doganor, mbi bazën e legjislacionit doganor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
E drejta e zbritjes së TVSH
E drejta e zbritjes së kësaj takse lind e aplikohet kur:
-I shërben veprimtarisë së tatueshme;
-Kur TVSH-ja e zbritshme bëhet e kërkueshme;
-Formalisht mbështetet me një dokument të ligjshëm justifikues (faturë tatimore, deklaratë doganore importi).
Rimbursimi
Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400 000 lekë, pra pa qenë i kërkueshëm kushti i parë.
Brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së personit të tatueshëm eksportues, administrata tatimore kryen procedurën e rimbursimit.
Brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së personit të tatueshëm, jo eksportues, administrata tatimore kryen procedurën e rimbursimit.
Personat e tatueshëm, paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së, të cilën mund ta gjeni më poshtë.
Pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pesë ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara nga ana e Ministrit të Financave. /Dita

Ka lezet qe eshte vene rregull ne Shqiperine time. Sa me ka marre malli dhe tek degjoj qe vendi eshte duke bere hapa para sidomos ne pjese ekonomike. Edhe keto rregulla ne pershtypjen time jane teper te sakta sepse jane te pershtatshme dhe me kushtet e vendit qe eshte ne zhvillim e siper.