OSBE-ODIHR do t’i ndjekë zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoni me 300 vëzhgues afatshkurtër dhe 20 afatgjatë. Numri i monitoruesve do të jetë i njëjtë si edhe në dy ciklet paraprake zgjedhore, presidenciale dhe lokale në vitin 2009 dhe ato të jashtëzakonshme parlamentare në vitin 2011.
Edhe pse ende nuk zbulohet se kush do të jetë shef i misionit vëzhgues, ai do të fillojë punë të premten.
Zëdhënësi i ODIHR-it, Tomas Rajmer, deklaroi për televizionin Alfa se në numrin e vëzhguesve nuk ndikon bojkotimi i cilësdo parti politike dhe se kjo përcaktohet në disa mënyra- sipas madhësisë së vendit, numrit të vendeve në të cilat konsiderohet se janë të nevojshëm vëzhgues që zgjedhjet të jenë të mbuluara në mënyrë adekuate dhe të mund të përgatitet vlerësim i saktë në atë që ndodh.
“Numri nuk është përcaktuar nga numri i kandidatëve, por nga madhësia e zgjedhjeve dhe gjithë ajo që është e nevojshme të kryhet në mënyrë profesionale dhe vëzhgim gjithëpërfshirës”, deklaroi Rajmer.
Vendimi për sistemimin e 300 vëzhguesve afatshkurtër është miratuar në bazë të analizës së ODIHR-it të gjendjes politike dhe kornizës ligjore në vend, të realizuar në fund të janarit.
Në të thuhet se gjendja politike është e tensionuar dhe se pritet që fushata më shumë të jetë e përqendruar në çështjet kombëtare sesa në ato lokale, ndërsa beteja të ngushta zgjedhore priten në Kërçovë, Shkup, Tetovë.
Edhe pse disa cikle paraprake zgjedhore në Maqedoni jozyrtarisht e mbanin parashtesën “problematike”, për Rajmerin secila prej tyre është ngjarje vetë për veten. Ai nuk deshi të komentojë se cilat janë pritjet e ODIHR-it nga zgjedhjet paraprake. “Qëllimi i misioni monitorues është vëzhgim i zgjedhjeve specifike tani.
Misionet vëzhguese nuk i krahasojnë zgjedhjet momentale me ato paraprake, as në këtë, e as në ndonjë vend tjetër”, thotë Rajmer. Megjithatë, sipas vlerësimit të ODIHR-it, edhe pse pas zgjedhjeve në vitin 2011 janë implementuar një pjesë e rekomandimeve të OSBE-së, ka edhe një numër të madh të çështjeve në të cilat duhet të ketë kujdes në këto zgjedhje, siç është procedura e përbërjes së listës zgjedhore, fushata zgjedhore dhe keqpërdorimi i kapaciteteve administrative, mbulimi mediatik i zgjedhjeve, procedurat për financim të fushatave, por edhe në mekanizmat për dorëzim të ankesave. (Zhurnal)