Debati për projekt- buxhetin 2013 ka nxitur debate të ashpra dhe incidente verbale midis deputetëve të pozitës dhe opozitës maqedonase. Zënkat dhe rebelimet e deputetëve janë shoqëruara me kërcënime, duke çuar edhe në dhunë fizike midis deputetëve.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për çështje juridike, deputetja e VMRO-DPMNE, Blagorodna Duliç, u ankua se deputetët e opozitës i thyen thonjtë, gjatë rebelimit të tyre para saj, ndërsa udhëhiqte seancën parlamentare.
Zënka dhe akuzat nisën kur Duliç nuk mori parasysh kërkesën e deputetëve të opozitës për një pushim të shkurtër. Deputetja Duliç tha se u godit nga deputetja e LSDM dhe se ishte qëlluar me dorë”. “Ata u tërbuan, thjesht u tërbuan”, theksoi Duliç.
Por, deputetët e LSDM-së opozitare hodhën poshtë akuzat e Duliç, duke theksuar se bëhet fjalë për një tentim për fajësim të opozitës dhe inskenim të ngjarjeve.
Një zënkë tjetër ka shpërthyer edhe midis deputetit serb si pjesë e koalicionit opozitar, Dragisha Miletiç me deputetin e VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski. Miletiç iu kërcënua deputetit Dimovski që të mos bëjë me gisht, ndërsa Dimovski është kundërpërgjigjur, duke kërkuar që deputetët e LSDM të mos sillen dhunshëm me gratë deputete.
Acarimi i raporteve midis pozitës dhe opozitës maqedonase mund të shkaktojë krizë parlamentare me zvarritjen e miratimit të projekt – buxhetit për 2013. Mosmiratimi i buxhetit do të shkaktojë kaos dhe krizë ekonomiko- sociale në Maqedoni. / INA
