Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 të vdekurit zgjodhën rreth 20 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë.
Atë kohë demografët shqiptarë, por edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare thanë se në Maqedoni ekzistojnë prej 200 mijë deri në 250 mijë votues fiktivë.
Në këtë shtet prej kohësh kanë qenë të pranishme lista të tilla, me të vdekur, e persona që kanë braktisur vendin, por që nuk janë shlyer nga regjistrat zyrtarë. Siç njofton agjencia e lajmeve INA, kjo ka ndodhur më shumë në zonat e banuara kryesisht me maqedonas.
Shqetësimet për votuesit fiktivë i ka shprehur edhe ODIHR në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku u tërhoq vërejtja se si një shtet me 2,4 milionë banorë, të ketë 1,7 milion votues.
Pas rekomandimeve të bashkësisë ndërkombëtare, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka filluar punën për pastrimin e listave zgjedhore. Ky proces është përcjellë me shumë mangësi, mirëpo megjithatë është arritur që nga listat zgjedhore të pastrohen mbi 120 mijë qytetarë, të cilët nuk e kanë vendin aty.
Grupi i punës për pastrimin e listës zgjedhore konfirmoi se deri më 30 nëntor, në listën zgjedhore janë regjistruar 1 749 038 qytetarë të Maqedonisë me dokumente të vlefshme biometrike, prej të cilëve 62 908 qytetarë jetojnë jashtë vendit.
Partitë opozitare alarmojnë se e njëjta histori me votuesit e paqenë do na përsëritet edhe në zgjedhjet lokale të 24 marsit. Edhe në këto zgjedhje, të vdekurit dhe votues të tjerë fiktivë do të zgjedhin kryetarë të komunave.
LSDM-ja opozitare akuzoi se në listën zgjedhore në Komunën e Qendrës në mënyrë joligjore janë shënuar të paktën 345 “votues fantomik” dhe se përgjegjësinë për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe pasojave nga falsifikimi zgjedhor do ta ketë VMRO-DPMNE-ja në pushtet.
LSDM njoftoi sot se në Resnjë, opozita gjithashtu ka zbuluar se në listat zgjedhore ekzistojnë 506 votues fiktivë ose të vdekur, të cilët vijnë nga Prespa e Vogël e Shqipërisë. Sipas opozitës votues fiktivë ka në të gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë.
Shefi i shtabit zgjedhor të LSDM-së, Igor Ivanovski, potencoi se prej kohës kur VMRO dhe BDI qeverisin me vendin 47.130 persona që nuk jetojnë në Maqedoni, por e kanë shtetësinë, do të votojnë në zgjedhjet e 24 marsit. / INA