Që prej ditës së hënë, Maqedonia pritet të fillojë shitjen e ligjshme të vajit të kanabisit. Ministri i Shëndetësisë, Nikola Todorov, kishte deklaruar më herët gjatë këtij viti se në bazë të amendamenteve mbi Ligjin e Kontrollit të Drogërave dhe Substancave Psikotrope, do të legalizohej përdorimi i kanabisit mjekësor për persona të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda si sida, epilepsia, skleroza e shumëfishtë dhe sëmundjet malinje.
Kjo lëvizje është mbështetur si nga partia në pushtet, ashtu edhe nga opozita, duke e bërë Maqedoninë vendin e dytë në Ballkan që legalizon përdorimin e kanabisit mjekësor.
Drafti për ndryshimin e ligjit ishte përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Agjensinë Maqedonase të Mjekësisë dhe Produkteve Mjekësore Malmed, ku sqarohej se prodhimi dhe shitja e kanabisit do të kryhej vetëm nga entitete ligjore e të specializuara.
Marija Darkovska, Drejtoresha e Malmed, në një konferencë për shtyp, kishte deklaruar se do të zhvilloheshin edhe kurse për specialistët e mjekësisë dhe farmacistët mbi përdorimin e sigurt dhe efektiv të produkteve të kanabisit.
Sipas ligjit të vendosur, vetëm neurologët, radiologët, onkologët dhe specialistët e sëmundjeve infektive do të kenë të drejtën t’i këshillojnë pacientëve përdorimin e kanabisit mjekësor.
Sipas Drejtoreshës së Malmed, në farmaci do të fillojë shitja e dy llojeve të vajit të kanabisit.
Njëri prej tyre do të përmbajë më pak se 0.2% substancë psikotrope dhe do të mund të blihet edhe pa rekomandim nga mjeku, ndërsa tjetri që do të përmbajë më shumë se 0.2%, do të mund të blihet vetëm me rekomandim të mjekut. Çmimi për këtë produkt, sipas Malmed, do të variojë nga 90 euro për sasinë 300 ml deri në 150 euro për sasinë 600 ml.
Maqedonia bëhet kështu vendi i dytë në Ballkan pas Kroacisë, dhe vendi i 14 në Europë që legalizon shitjen e kanabisit për qëllime mjekësore.

C’fare pret Shqiperia, apo si gjithmone te fundit