Maqedonia kapërcen krizën politike. “Është arritur një marrëveshje për tejkalim të krizës politike dhe me këtë rast, euroaxhenda kthehet sërish në prioritetet e vendit”, konfirmoi pasdite presidenti Gjorge Ivanov, pas takimit të përbashkët me treshen evropiane të kryesuar nga eurokomisari Stefan Fyle, kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Është rënë dakord të ripërtërihet jeta politike në vend, të gjitha partitë politike të kthehen në Kuvend dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Menjëherë duhet të formohet komision i përbashkët për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit. Marrëveshja përfshin edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, data e të cilave duhet të përcaktohet deri më 1 shtator. “Kjo është marrëveshje e cila është arritur vonë, por shpresoj dhe besoj se jo tejet vonë. Askush nuk duhet ta nënçmojë sfidën e palëve në gjetjen e marrëveshjes dhe mesazhi im deri te vendet-anëtare të Bashkimit Evropian është që të tejkalohen duhet t’i tejkalojnë sfidat personale dhe të mundësojnë që frytet nga kjo marrëveshje të realizohen”, tha raportuesi për Republikën e Maqedonisë nga Parlamenti Evropian, Riçard Hovit. “Marrëveshja është me rëndësi kyçe për perspektivën evropiane të këtij vendi dhe unë jam krenar që luajta rol në ndërmjetësim. Është e rëndësishme që kjo marrëveshje është arritur nga ana e partive, ndërsa në interes të vendit. Thellësisht dhe sinqerisht u falënderohem për këtë”, shton Hovit. / INA