Maradona: Messi nuk e meritonte çmimin e FIFA-s

anazapta

Argjentina shpresonte se Lionel Messi në Maracana do të bënte të njëjtën gjë që bëri Diego Armando Maradona 28 vite më parë në stadiumin Azteca të Mexico City, duke mundur Gjermaninë në finale e duke shpallur kombëtaren “Albiceleste” kampione Bote. Por ylli La Selecion jo vetëm që nuk e realizoi diçka të tillë por zhgënjeu totalisht me paraqitjen e tij në fushë. Tashmë që Botërori i Brazilit ka përfunduar nuk mungojnë edhe sulmet në drejtim të Messit dhe i pari që bën diçka të tillë nuk është askush tjetër veçse legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona.

Në një intervistë, “El Pibe D’Or” foli pikërisht për kapitenin e La Selecion, zhgënjimin e madh të kësaj Kupe Bote, por që Fifa e vlerësoi me çmimin “Topi i Artë” i Brazil 2014. Sipas Maradonës, kapiteni i Argjentinës nuk e meritoi një vlerësim të tillë pasi paraqitjet e tij në fushë gjatë kësaj Kupe Bote ishin poshtë pritshmërive. “Unë dua shumë Leon dhe do t’i dhuroja edhe qiellin po të kisha mundësi, por mendoj se është e padrejtë t’i japësh një çmim që nuk e ka merituar”, deklaroi 51-vjeçari në intervistën e tij. “Ky vlerësim është bërë vetëm për marketing dhe më dukej totalisht jashtë normales”, vijoi më tej Maradona. Nën këndvështrimin e kampionit të Botës në vitin 1986, Fifa si lojtarin më të mirë të Botërorit duhet të kishte vlerësuar kolumbianin James Rodriguez. Por nën shënjestrën e Maradonës nuk ishte vetëm Lionel Messi, por edhe trajneri i Argjentinës Alejandro Sabella. Sipas El Pibe D’Or, tekniku i La Selecion është fajtori kryesor për disfatën e ekipit përfaqësues në finalen me Gjermaninë. “Pyes veten përse u zëvendësua Lavezzi kur po luante shumë mirë, me një Sergio Aguero që ishte dukshëm jashtë forme”, deklaroi Maradona në intervistën e tij. Por sipas 51-vjeçarit nuk ishte ky gabimi i vetëm që bëri Sabella. Nën këndvështrimin e Maradonës nëse trajneri i Argjentinës disa minuta para fundit të kohës së rregullt zëvendësoi një lojtar si Enzo Perez me Fernando Gagon kjo do të thotë që Sabella dëshironte të ruante barazimin duke mos rrezikuar asnjëherë për ta fituar ndeshjen. Për ish-futbollistin e famshëm ndryshe nga numri 1 i stolit të kombëtares “Albiceleste”, Joachim Low hoqi nga loja Klosen duke hedhur në fushë Mario Goetzen pikërisht për të fituar sfidën. Fitorja e panzerave në Maracana nuk lumturoi vetëm popullin gjerman, por edhe atë brazilian pasi këta të fundit nuk dëshironin që rivali i tyre i përjetshëm Argjentina të fitonte trofeun në shtëpinë e tyre, megjithatë në këtë aspekt Maradona nuk mund të rrinte pa thumbuar edhe 5-herë kampionët e Botës. “Ne e humbëm finalen duke pësuar vetëm 1 gol ndërsa ata në gjysmëfinale pësuan plot 7”, deklaroi në fund të intervistës 51-vjeçari argjentinas.

 

Share This Article
1 Comment
  • MARADONA ngelet lojtari me i madh per te gjitha koherat ,pas kesaj qe ndodhi ne kete boteror ,jo per numrin e golave apo per bukurine e tyre apo per numrin e trofeve te marra me klubet ku luajti .por per Karizmen .
    MESSI ngelet lojtari me INTELIGJENT i PLANETIT per ata se cka na ka dhene ne fushen e lojes ku asnjeri lojtar ne bote nuk e ka bere deri me sot .
    Jo per numrin e golave te sheniar qe i ka 449 si me Klubin dhe me kombetaren me mesataren e pergjitheshme rreth 0.8 gola ne ndeshje ,por per RRUGEN deri tek goli .
    Shume here ju kam bere me dije qe :
    Shikoni videot KIXHAS ,PELES , MULLERIT ,CRUIFIT ,PLATINISE ,BAXHIOS ,MARADONES dhe MESSIT.
    MESSI eshte me i jashtezakoneshmi ,pastaj vjen BAGGIO ,KIXHA ,MARADONA ,MULLERI ,CRUIFI ,PLATINIA dhe ne fund PELE .
    Ne nje kohe te dyte do tu jap me shume detaje sipas meje duke bere krahasimin midis Gjermanive ,1974,1990,2014 si edhe te ARGJENTINES ,1978,1986,1990 ,2014..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *