Mario Balotelli “zemërarti”. Ja surpriza e veçantë që i bëri fizioterapistit të tij

Gazeta Dita

Kur luante me Manchester City gazetat angleze janë mbushur me bëmat e tij brenda dhe jashtë fushës, por Mario Balotelli ka qenë më shumë se ai që gjuante me shigjeta nga dritarja lojtarët e ekipeve të moshave, që i vinte zjarrin shtëpisë me fishekzjarrë, që i provokonte të gjithë me fanellën e famshme “Why Always Me?”, apo që zhdukej nga loja për 85 minuta pasi kishte realizuar një gol të çmendur.

Problemi është se kanë qenë të pakët ata që kanë marrë mundimin ta njohin me të vërtetë. Një nga këta ka qenë Paul Webster, që për 12 vite ka qenë fizioterapisti i City-it dhe që më “Super Marion” ka kaluar shumë kohë pas operacionit në gju në 2010-ën, duke shkuar edhe në Itali, me kërkesë të trajnerit Roberto Mancini, për të ndjekur nga afër rikuperimin e sulmuesit.

Tani , shtypi anglez ka zbuluar zemërartin Balotelli. Sulmuesi, sapo ka mësuar se Webster ka qenë i detyruar të ndërpresë muajin e mjaltit në Liqenin e Gardës në 2004-ën për shkak të një dëmtimi në kurriz, i ka dhuruar një ditë të paharrueshme pikërisht në të njëjtin hotel ku fizioterapisti ka qenë me bashkëshorten e tij.

“Për shkak se duhej të ndiqja nga afër rikuperimin e Marios, mora një dhomë në një hotel që ishte afër shtëpisë së tij, – ka thënë Webster, – dhe kur jam kthyer nga ato anë më është kthyer në mendje muaji i mjaltit i 2004-ës, kur kam qenë i detyruar të kthehem më herët në shtëpi për shkak të një dëmtimi në kurriz.

Ia kam treguar këtë histori Balotelli-t, i cili nuk ka thënë asgjë, por dhjetë minuta pasi ishte larguar është paraqitur te dera ime një shofer, i cili më ka thënë ‘Hajde, do të çoj te Liqeni i Gardës’. Jo vetëm që më ka shoqëruar deri atje, por është ndalur pikërisht te hoteli ku unë dhe bashkëshortja ime kemi qëndruar për muajin e mjaltit dhe ku më priste një vakt i mrekullueshëm.

Gjithçka ishte organizuar nga Mario, i cili ka një zemër me të vërtetë të artë. Kam qëndruar me të në Itali një javë dhe më ka bërë të ndihem me të vërtetë mirë”.

Webster, i cili tani drejton një biznes privat, kujton me shumë kënaqësi sezonin 2011-12 dhe hidhërohet kur dëgjon se ka akoma disa që nënvlerësojnë kontributin e dhënë nga Balotelli në atë kampionat.

“Mancini e dinte mirë se çfarë ishte në gjendje të bënte Balotelli në fushë, – ka thënë ish-fizioterapisti, – dhe nëse mendoni për atë sezon, do të kuptoni se ndonjëherë mund të ishte acarues në fushë për shkak të reputacionit, por në të vërtetë është një djalë i mrekullueshëm dhe unë e doja shumë”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *