Mario Morina shpallet “Talenti i Vitit”

redaktor

Mario Morina është fituesi i edicionit të 6-të i çmimit “Talenti Vitit”, i organizuar nga shoqata “Sporti na Bashkoi”. Në votimin e gazetarëve sportiv në vend, ishte pikërisht sulmuesi i Tiranës që grumbulloi më shumë vota, duke bërë për vete çmimin individual. Pas vendit të dytë të arritur sezonin e kaluar, tashmë 21-vjeçari bëhet fitues i trofeut “Talenti i Vitit”, një vlerësim që tregon rritjen e tij në aspektin personal.

Këtë edicion të 6-të u dhanë dy çmime të dyta dhe dy çmime të treta. Pas sulmuesit bardheblu u renditën mesfushori Arsid Kruja i Vllaznisë dhe mbrojtësi Amir Rrahmani i Partizanit. 20-vjeçari i shkodranëve ka qenë një pikë e rëndësishme e Vllaznisë këtë edicion, duke u aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij kampionati. Pas shpërthimit një sezon më parë, Kruja konfirmoi talentin e tij edhe këtë edicion, dhe vlerësimi i dhënë me këtë çmim tregon progres në karrierën e tij.

Mbrojtësi i të kuqve nga kryeqyteti, Rrahmani, pas një nisjeje jo të mirë të sezonit ka gjetur veten duke u bërë një pikë referimi në mbrojtje.

Ndërkohë në vendin e tretë janë renditur sërish dy futbollistë, Lorenc Trashi i Lushnjës, që pavarësisht faktit se skuadra ka rënë në Kategorinë e Parë, loja e tij këtë edicion ka befasuar të gjithë. Përkrah Trashit është renditur një tjetër futbollist i Partizanit, mbrojtësi Mevlan Murati. Ndërkohë me çmimin “Fair Play” është vlerësuar portieri i Tiranës, Ilion Lika, që për arsye familjare nuk ka marrë pjesë në këtë ceremoni.

Sulmuesi: Çmimi, shtysë për të ardhmen

Pas një sezoni të ndarë më dysh, me aktivizimin në pjesën e parë të tij tek Skënderbeu dhe më pas rikthimi në shtëpi te Tirana, Mario Morina merr një trofe personal. Sulmuesi 21-vjeçar shprehet i kënaqur me trofeun e fituar dhe premton se ky vlerësim do të shërbejë si shtysë për të ardhmen.

“Jam shumë i lumtur dhe mendoj që ky vlerësim do të më bëj të vazhdoj punën time me këtë ritëm”, thotë ai.

Tashmë sezoni ka përfunduar dhe llogaritë kanë nisur të bëhen. Tirana nuk ka siguruar ende të ardhmen dhe në pikëpyetje janë të gjithë futbollistët. Morina shpreson që të zgjidhet gjithçka për mirë teksa shpreh haptazi dëshirën për të luajtur me fanellën bardheblu: “Shpresoj të zgjidhet gjithçka dhe të jem pjesë e Tiranës. Në të kundërt do të shoh alternativat dhe do vendos ku do të luaj”.

Për të përshpejtuar në një zgjidhje të situatës tek 24 herë kampionët, tifozët kanë zhvilluar një protestë. Morina edhe pse e ndjen veten si njërin prej tyre, thekson se ai është profesionist dhe do të presë për të vendosur të ardhmen: “Tifozët kërkojnë më të mirën për skuadrën, por unë jam profesionist. Nuk kemi asgjë në dorë, pasi duhen marrë ca vendime. Nëse nuk arrihen në përfundimet e duhura do të largohem”. Në sezonin që sapo përfundoi Morina realizoi 7 gola në 27 ndeshje të luajtura në total, dy me Skënderbeun dhe 5 me Tiranën.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *