Mariza e Kozmajit

Ornela

Shënime për  romanin “Mariza” të shkrimtarit  Kozma  Gjini

  Nga Naun Kule                                   

Autori “vuan” të lindurit e personazhit që në ngjizjen e tij. Që në momentin kur në laboratorin e tij krijues përvijohet dhe merr udhë përjetimi i një figure  që do të mbajë në këmbë tërë ngrehinën e veprës  artistike, me plot ngjarje dhe figura të tjera, me dialogje dhe përjetime   njerëzore, sa  do të jenë të besueshëm deri në emocion për gjithë lexuesit.

E pra, për ta krijuar këtë personazh si hero mbushamendës duhet të gdhish dhe ngrysësh shumë ditë netë me të në sy, në mendje dhe në shpirt, derisa të duket vetja e dyzuar mes atij i cili, paçka se s nuk është as i gjallë, as real, ndërsa jeton, ndjen dhe përjeton bashkë me ty. Kësisoj autori krijues, bashkëshoqërohet me të në çdo hap dhe ndërmarrje, duke vuajtur dhe gëzuar së bashku. Jo rrallë krijuesi pyet veten  si e qysh do të vepronte heroi i tij në këtë apo atë rrethanë, se ç’qëndrim do mbante apo  ç’vendim do merrte në këtë apo atë debat a dialog. Kjo përsiatje e përditshme  kthehet në një bashkëjetesë shpirtërore e heroit me autorin. Në çdo hap që hedhin duket sikur  shtyjnë, nxisin a maturojnë sho-shokun për ta përfshirë në ngjarje, marrëdhënie a marrëveshje me gjithë ekipin e figurave që do t’i paraqiten lexuesit në teatrin artistik të veprës letrare. Autori dhe heroi gjejnë ujdinë dhe dakortësojnë vendin dhe peshën e secilit personazh në veprën letrare. Pa një bashkëveprim të tillë të krijuesit dhe krijimit s’do kishim hero të besueshëm dhe frymëzues. Kjo sepse, nuk do ndjenim emocionalisht dhimbjet, vuajtjet dhe gëzimet e heroit i cili, siç dihet, ia ka marrë “borxh” autorit të veprës letrare.

Besoj se nga një perceptim i tillë jetësor, doemos, produkt i një vëzhgimi të  hollësishëm dhe të gjatë, përjetuar artistikisht, ka lindur dhe është “rritur” heroina e romanit të ri të shkrimtarit Kozma  Gjini, me titullin omonim, “Mariza”.

-Kronika e një qyteti të rebeluar…

Ngjarjet dhe personazhet e romanit në fjalë janë tërësisht të identifikueshme aq sa duken si të njohurit, a ndoshta   fqinjë të autorit. Ky identitet, i vendosur në një vend  dhe kohë të caktuar, i jep dorë autorit të  përshkruaj dhe sjellë tek lexuesi jo figura  dhe pamje imagjinare, fabul a intriga të nxjerrë nga “shtrydhja” e procesit krijues të shkrimtarit. Përkundrazi; shkrimtari na shpalos në faqet e romanit  pamjet e një realiteti të njohur, në një moment historik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe,  në tërë  këtë panoramë jetësore, paçka dhimbjes  dhe trishtimit që të krijon, autori e shmang natyralizmin. Kjo falë vëmendjes dhe ekzigjencës krijuese të autorit i cili, ndërsa kombëtarizon ngjarjet historike na  i përcjellë ndër ne si një fenomen letrar, pa abstraguar ndër figura  dhe ngjarje të stisura gjoja artistike.

Shkrimtari i njeh “ind e majë” figurat, ngjarjet dhe personazhet që na përcjell  dhe përshkruan. Aq e pranishme dhe mbushamendëse është kjo njohje në faqet e librit, sa duket sikur lexojmë dhe shpalosim kronikën e një qyteti. Madje, jo të çdo qyteti, por të vet Lushnjes, vendlindje dhe vendbanim i shkrimtarit Kozma Gjini. Është kronika e trishtë e një qyteti të qetë dhe e banorëve paqësorë e cila, vjen e turbullohet në një moment të vështirë për ata,  ndërsa iu  prishet dhe pështjellohet rrjedha normale e jetës.

Kombinimi artistik i ngjarjeve lokale dhe familjare me disa  të tilla me përmasa kombëtare, sado të njohura dhe të përjetuara dhimbshëm nga gjithë shqiptarët, u jep vërtetësi këtyre ngjarjeve dhe, veçmas, personazheve që na i përcjellin ato.

Kështu p.sh tek lexon për ardhjen në Shqipëri të autoriteteve europiane si Vranicki, Prodi, etj (fq. 51, 57), kujton dhe kupton në thelb atë të vërtetë të hidhur të vitit 1997-të. Duke konfirmuar njëherësh se paça se tragjedia  u luajt në “skenat” e Vlorës dhe të qyteteve të jugut, aktet e para të kësaj drame çmendurore allashqiptarçe, e kanë zanafillën pikërisht në  qytetin e  Lushnjes,  me autorë pikërisht këta, banorët paqësorë të Myzeqesë, që në janarin e vitit 1997-të, kur helikopteri i pushtetarit të lartë në qeverinë e kohës,   rrotullohej mbi stadiumin e Lushnjes dhe nuk ia mbante të zbriste…?! Demonstruesit e zëmëruar, mbledhur aty me kuç e maç,  e pritën me gurë dhe pushkë   shtetarin e lartë. (Ruhu nga zemërimi i të urtit-këshillonin pleqtë).

Historia tashmë e njohur e “preshit që hëngri” në Lushnjë qeveritari në fjalë, tashmë është e njohur gjer në paranojë si rrëfeja e kahershme e “Sali pordhës”, ndaj edhe autori bënë mirë që  vetëm e përmend dhe e anashkalon pa qëndruar në të.

Pra, në faqet e para të romanit  “Mariza”, shohim një qytet të rebeluar nga duket sikur autori ka marrë të përshkruaj kronikën e tij të cilën, doemos e ka përjetuar emocionalisht dhe faktikisht, e pse jo, edhe në “kurrizin” e vet. Dhe, ndërsa lexojmë ndër këto kapituj, na duket sikur  shkrimtari Kozma Gjini  çapitet  mes dy fushave aq të ngjashme, por jo të njëllojta; asaj të publicistikës dhe të prozës së mirëfilltë artistike.

Duhet thënë se krijuesi Kozma Gjini ka një përvojë të admirueshme në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës.

Madje, edhe fillimet e veta, ndërsa shumë krijues i kanë në vargëzimet poetike, Kozmai ynë i ka pikërisht në gazetari.

Emri i Kozma Gjinit është  i pranishëm hershëm ndër dhjetëra gazeta, organe shtypi lokale dhe kombëtare si edhe në medie televizive në të cilat kontribuon ende. Ndikesa e kësaj përvoje shumëvjeçare të autorit, nuk i ka shpëtuar  fillimisht edhe këtij libri, ndonëse është konceptuar që në krye si prozë e gjatë artistike. Kronikën e ngjarjeve të trishta të qytetit të tij, autori e vendos në kohë, (…ishte 24 janari i vitit 1997…fq.1), për të vazhduar me vendrrëfimet e qytetit të “zëmëruar..” si “Laguna e zaptuar e Karavastasë…Stadiumi “Roza Haxhiu”, kinoteatri “Vaçe Zela”etj, deri edhe të shoqëruar me foton e një demostracioni të  banorëve lushnjarë kundër qeverisë.(fq.9) Pra, në pjesën e parë të romanit, jemi në narrativën e një kronike të dokumentuar në kohë dhe vend. Nëse krijimi do të ecte në këtë shtrat, ndoshta do kishim më shumë dokumentimin e ngjarjeve të qytetit në fjalë se sa  një vepër të mirëfilltë artistike të përmasave të romanit.

Dhe, ndërsa njihemi me figurën e heroinës–Marizës, romani merr tjetër  shtysë. Mariza është bijë e Ndoc Markut dhe e Monikës, familje malësore, zbritur  gjysmëshekulli më parë ndër myzeqarë dhe jetuar këtu i qetë dhe ndershëm.

Mirëpo, pështjellimi familjar vjen me rritjen e fëmijëve-i biri Robert  me të shoqen, vuajnë pamundësinë e lindjes së një fëmije, vajza e  lëvduar e familjes, Mariza dashuron një djalë që…? Pra autori e zgjeron “gjeografinë” e personazheve bashkë me përvojën jetësore dhe tradicionin e tyre  të prurjeve kulturore  duke i dhënë veprës së tij artistike  një vlerë dhe diapazon kombëtar. Heroina e romanit që i jep edhe titullin romanit në fjalë, është konceptuar si pjesë nistore e shoqërisë shqiptare e cila e dalë nga izolimi politik gjysmëshekullor nuk po gjen ende rrugën e duhur të progresit.

Dhe mesazhi i librit thërret pikërisht këtë shtresë të shoqërisë; rininë-Marizën, Albanin dhe gjithë shpurën që rrethojnë ata në jetën e përditshme në veprimet e tyre herë të nxituara herë të munguara në këtë sfond tymnaje politike të paqartë. Shoqëria shqiptare vërtetë ka ndryshuar sistemin. Flitet aq shumë për liri e demokraci, por pushteti i vërtetë, ligjbërës dhe vendimmarrës janë pikërisht ata,  “pushtetarët e preshit” që nuk  guxojnë të zbresin as në stadium…!

Pra, nënteksti i romanit flet qartë, demokracia gjoja ka ardhur, por demokratët, jo. Në vend të asaj që aspiron populli dhe veçmas brezi i ri përfaqësuar nga  disa personazhe të këtij romani, autori ve përballë fakte dhe ngjarje që dëshmojnë se jemi në kohën  e “makinave të shtrenjta…koha e cubave levendë e syzes…që të nxijnë si veten… jemi në kohën e lekut të pistë…”.

Ndaj ky roman i Kozma Gjinit  fill e fund mesazhon rininë dhe posaçërisht femrën shqiptare, Marizën me shumë e shumë shoqe dhe shokë nga pritet edhe e ardhmja e  këtij vendi. Thirrja e autorit dhe personazheve që ai u jep jetë në këtë libër të bukur dhe të dobishëm, është pikërisht shpresa dhe besimi tek vetvetja. Njeriu e mbron lumturinë personale, familjare dhe pse jo, edhe atë shoqërore, me aq shumë luftë dhe durim  tek vetja, tek njerëzit  tek të cilët beson, mbi të gjitha, tek shpresa për një të nesërme më të mirë. Ndaj ky roman më së pari mund të vlerësohet si një libër i të rinjve, pikërisht i atyre që e kanë jetën përpara dhe janë të vendosur për ta ndryshuar  atë dhe për ta jetuar krejt ndryshe nga prindërit   dhe  paraardhësit e tyre.

Përpos këtyre, për tu rikthyer tek autori i këtij libri të mirëpritur, duhet thënë se krahasuar me  gjithë krijimtarinë e gjersotme të shkrimtarit, Kozma Gjini si autor i hershëm tashmë  ka përvojën e shumë librave të botuara në disa gjini të letërsisë dokumentare dhe të asaj për fëmijë e të rritur. Romani i ri “Mariza” është produkt i një pjekurie artistike për autorin,  çka  e siguron lexuesin për vepra të reja edhe më të mira nga pena dhe talenti i shkrimtarit Kozma Gjini.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *