Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku është kundër heqjes së mandatit të deputetit socialist, Fidel Ylli por do t’i bindet vendimit të grupit për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Nisma e deputetit demokrat pritet të votohet në seancën e së enjtes.
“Unë kam votuar përherë politikisht kur ka qënë votim politik dhe do vazhdoj ta bëj një gjë të tillë sepse kjo është një kontratë politike që unë kam me Partinë Demokratike. Kam respektin maksimal për Fidel Yllin dhe shpresoj që çështja të mos shtrohet në parlament, ndërsa nga ana tjetër dua që ai të dalë i pafajshëm në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.
Ndërkaq lidhur me koalicionet parazgjedhore Mark Marku kërkon të bëhet kujdes, pasi mund të dëmtojnë Partinë Demokratike.
‘Kam qënë shumë reaktiv, shumë reagues ndaj funksionimit mekanik të koalicioneve ndaj kushtëzimeve të koalicioneve dhe ndaj pamundësisë për të marrë vendime që shpeshherë dëmtonin qeverisjen për shkak të partive që ishin në koalicion”, tha Marku.