Marku: Basha sillet me Berishën, siç sillej Ramiz Alia me Enver Hoxhën

anazapta

Ish-deputeti i PD-së, Mark Marku, thotë se pavarësisht dorëheqjes së Berishës dhe zgjedhjes së Bashës në krye të selisë blu, reformimi në parti nuk ka përfunduar.

Edhe pse ka rezerva ndaj procesit sesi u zgjodh kryetari i ri, Lulzim Basha, në një intervistë për “Koha Jonë”, Mark Marku, shprehet se Basha ka mundësi për t’i dhënë një drejtim tjetër partisë. Por edhe në këtë rast ai sheh një problem; marrëdhënien e kreut të PD-së me ish-liderin e saj Sali Berisha. Marku i quan këto marrëdhënie të ngjashme me ato që Ramiz Alia kishte me ish-diktatorin Enver Hoxha.

“Drejtuesi i ri i kësaj partie zoti Basha mban ndaj paraardhësit të tij, zotit Berisha, të njëjtin qëndrim që mbante Ramiz Alia ndaj Enver Hoxhës, paraardhësit të tij. Zoti Basha duket se ka stil tjetër të të bërit politikë, ashtu sikurse e kishte edhe Ramiz Alia, në raport me Enver Hoxhën, por e mbylli karrierën politike pa guxuar të shqiptonte ndonjë kritikë ndaj tij”, thotë Marku.

Marku analizon profilin politik të Bashës si kreu i opozitës së rrudhur përballë maxhorancës së madhe. “Mendoj se ai i ka disa elementë bazë për ta bërë një gjë të tillë: është i ri (shumë pak i prekur nga klishetë dhe dogmat komuniste), ka një edukim profesional të mirë edhe pse të papërmbyllur dhe të thelluar plotësisht për shkak të angazhimit në moshë të re në poste politike dhe administrative, është figurë elektorale: ka imazh të pëlqyeshëm nga publiku, artikulim të mirë edhe pse pa përmbajtje, ka një përvojë të admirueshme administrative dhe politike. Mendoj se pikat e tij të dobëta janë: mungesa e ideve (që buron nga mungesa e kulturës së përgjithshme dhe profesionale), mungesa e origjinalitetit (ka disa cilësi së bashku, por nuk ka një cilësi dalluese), mungesa e identitetit politik (i rri mirë PD-së, por po aq mirë do t’i rrinte edhe PS-së, LSI-së, PR-së etj). Me kalimin e kohës ai mund të bëhet një lider efikas i PD-së por, edhe mund të dështojë pasi figurat jo kontrastuese si z. Basha që vjen pas një figure kontrastuese si z. Berisha rrezikojnë të dështojnë në politikë”, shprehet ai.

Marku thotë se Berisha e kontrollon ende PD. “Berisha ka një protagonizëm të tepruar në PD, gjë që e bën atë të duket si kryetari de facto i PD-së. Madje edhe pa protagonizmin e tanishëm mund të dukej për ca kohë i tillë. Do të bënte mirë ta linte të zgjedhurin e tij të ishte kryetar i asaj gjësë që i ka lënë në dorë.

Kam bindjen se vetë z. Basha nuk do të mund ndërmarrë ndonjë ndryshim thelbësor që cenon pozitat e Berishës. Z. Berisha e kontrollon ende PD-në dhe në çdo moment mund ta vinte z. Basha në situata të papërballueshme prej tij. Por mendoj se edhe Basha nuk sheh ndonjë nevojë për trazimin e ujërave në PD”.

Share This Article
3 Comments
  • Markut si ka dale ende inati qe ne listen e deputeteve vendin ja zuri Kaqi .
    Mark ,he mo he se nje prerje jeni ,si thone ne Mirdite “hiqja prenes e vurja lenes”
    Jam kurioze te di nga Kumbaro ,ajo gruaja e ktij eshte ende ne ato komisionet e kultures
    merret ende me ato cmimet letrare ,panaire librashe di une me sa leke vjedhin?
    Jo se ne fakt ,prandaj po ndricon kultura dhe demokracia !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *