Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të kenë pikë të re kufitare në rajonin e Prespës.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dhe Ministrja për Punë të Jashtme të Greqisë, Sia Anagnostopulu.
Sipas deklaratës së ministrit Dimitrov, kjo marrëveshje është e para e nënshkruar sipas dispozitave të Marrëveshjes së Prespës.
‘Kemi përsëri një Marrëveshje historike, pas suksesit me Marrëvshjen e Prespës. Për herë të parë në marrëveshje zbatohet edhe emri i ri i Maqedonisë. Kam kënaqësinë që këtë Marrëveshje për hapjen e kalimit kufitar në rajonin e Prespës e nënshkruam në tre gjuhë, në gjuhën maqedonase, atë greke dhe angleze’, deklaroi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministrja greke, Sia Anagnostopulu deklaroi se ndjehet e lumtur që bashkëpunimi mes dy vendeve fqinje po thellohet.
‘Falënderoj të gjithë, para së gjithash ministrit Dimitrov për nënshkrimin e kësaj Marrëveshje historike dhe jam shumë e lumtur që të bashkëpunojmë dhe të forcojmë dhe thellojmë marrëdhëniet midis dy vendeve’- deklaroi ministrja Anagnostopulu.
Sipas mediave maqedonase, në takimin mes Dimitrovit dhe Anagnostopulos, janë shkëmbyer mendime edhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Theks i veçantë është vendosur në implementimin e Marrëveshjes së Prespës me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit intensiv në të gjitha sferat.
o.j/dita
