Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson sqaron se marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, është punë e politikanëve të Kosovës dhe jo e ambasadës amerikane apo e bashkësisë ndërkombëtare.
“Dua të jem e qartë se ky koalicion që po ndërtohet tani është koalicioni i tyre, është punë e politikanëve të Kosovës, jo punë e ambasadës apo e bashkësisë ndërkombëtare. Jam mirënjohëse dhe e impresionuar me rolin që ka luajtur presidentja në lehtësimin e dialogut dhe me ftesën e saj jam e gatshme që të jem vëzhguese në çdo kohë. Por ky vërtetë është proces politik i Kosovës. Lajmi i mirë është që Kosova pati zgjedhje të mira, që politikanët e Kosovës po flasin me njëri-tjetrin rreth tryezës së presidentes së Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme dhe tani duhet të shohim se cilët do të jenë hapat e ardhshëm”, tha Jacobson
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Jacobson thotë se qeveria e re, cilado që të jetë përbërja e saj, duhet të punojë shpejt dhe me përkushtim për përmbushjen e përparësive strategjike të Kosovës, ndërsa shtoi se java e ardhshme mund ta gjejë vendin me institucione të reja.
Ambasadorja amerikane vlerësoi edhe rolin e presidentes Atifete Jahjaga në ndërmjetësimin e zgjidhjes së krizës politike në vend, ndërsa shprehu angazhimin e saj për të qenë vëzhguese e proceseve politike në Kosovë.

NUK THA NJERI GJE MOJ SHOQE,
PERSE TE DJEG TY??????!!!!!!!!!!!!!