Departamenti i Thesarit të SHBA-së, e ka akuzuar Kinën për “manipulim të qëllimshëm të kursit të këmbimit të dollarit amerikan me juanin kinez, në mënyrë që të fitojë avantazh konkurrues të padrejtë në tregtinë ndërkombëtare”.
Deklarata e së hënës rezultoi në një rënie të shpejtë të juanit kinez kundrejt dollarit amerikan, duke kapur vlerat e ulëta të vitit 2008.
Kjo rënie ka pasur ndikimin e vet edhe në Wall Street. Indekset kryesore të tregut të aksioneve të Wall Street regjistruan ditën e tyre më të keqe të tregtimit për vitin 2019. Tregjet e Azisë gjithashtu raportuan rënie në tregun e aksioneve.
Banka Popullore e Kinës u kundërpërgjigj, duke thënë se rënia e juanit ishte nxitur nga masat e njëanshme dhe vendosja e rritjes së taksave ndaj Kinës.
Në vijim, qeveria amerikane tha se Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, tani do të angazhohet me Fondin Monetar Ndërkombëtar “për të eleminuar avantazhin e padrejtë konkurrues të krijuar nga veprimet e fundit të Kinës”.
Edhe tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë priten të intensifikohen. Ekspertët, tashmë e konsiderojnë këtë si një “luftë tregtare të mirëfilltë”. Ata nuk janë më shpresëplotë se ajo do të zgjidhet para zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020, ashtu si mendonin më parë.
Eksperti i ekonomisë, Goldman Sachs, duke paralajmëruar ndikimin e kësaj “lufte” në ekonominë botërore, thekson: Ndërsa më parë mendonim se presidenti Trump do ta konsideronte të bërit të një marrëveshje si më të favorshme për rizgjedhjen e tij në 2020-ën, ne, tashmë, kemi më pak besim se qasja e tij do jetë kjo”.
Nga ana tjetër, Kina zyrtare u zotua se do të kundërpërgjigjej njëlloj, pasi presidenti Trump deklaroi vendosjen e taksave shtesë ndaj importeve kineze, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkomëtare.
e.ll./dita
